Një gjykatë federale në San Diego ka urdhëruar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, të rikthejë procesin e regjistrimit për lotarinë e vizave të diversitetit për vitin 2027, e njohur si lotaria e Green Card.
Lotaria duhet të hapet deri më 18 tetor, ndërsa regjistrimi do të vazhdojë deri më 19 nëntor, vendosi të mërkurën gjyqtarja Jinsook Ohta, nga Gjykata e Qarkut e SHBA-së për Distriktin Jugor të Kalifornisë. Ajo nxori një urdhër paraprak gjyqësor që pezullon vendimin për ndërprerjen e programit të Green Card-it.
Programi mundëson dhënien e lejeve të qëndrimit të përhershëm për deri në 55 mijë aplikantë çdo vit, nga vende që historikisht kanë pasur nivele më të ulëta të emigrimit drejt SHBA-së. Një pjesë e madhe e përfituesve vijnë nga vendet afrikane.
Administrata e presidentit Donald Trump e pezulloi programin dhjetorin e kaluar, pasi një shtetas portugez, i cili kishte përfituar vizë përmes kësaj lotarie, u dyshua për vrasjen e katër personave në dy sulme të ndara me armë zjarri në Rhode Island dhe Massachusetts. I dyshuari më vonë u gjet i vdekur, pasi kishte kryer vetëvrasje.
Në mars, administrata nxori një rregull të ri, sipas të cilit aplikantët duhet të kenë pasaportë për të marrë pjesë në program, raporton bloomberg.
Firma ligjore për çështje të emigracionit, Red Eagle Law LC, me seli në Kaliforni, ngriti padi kundër Departamentit të Shtetit, duke kërkuar rifillimin e programit. Më herët, gjyqtarja Ohta kishte refuzuar kërkesën e firmës për një urdhër të përkohshëm kufizues.
Muajin e kaluar, një gjyqtar i Distriktit Verior të Kalifornisë konstatoi se Departamenti i Shtetit kishte rifilluar shqyrtimin e aplikimeve për vitin fiskal 2026 me një ritëm jashtëzakonisht të ngadaltë, të cilin e përshkroi si të paprecedentë.
Lotaria e vizave të diversitetit u krijua me ligj në vitin 1990. Megjithatë, përzgjedhja në lotari nuk garanton automatikisht marrjen e Green Card-it, pasi kandidatët duhet të plotësojnë edhe kushtet e tjera ligjore për emigrim në SHBA.
Trump e ka kundërshtuar prej kohësh këtë program, por vendimi i fundit gjyqësor e detyron administratën e tij të ndërmarrë hapa për rikthimin e procesit të aplikimit për vitin 2027. /Telegrafi/

