Monday, October 19, 2026
HomeLajmeKosovaGjukanoviq për Srebrenicën: Beogradi financonte ushtrinë serbe, nuk u duhej “nafta ime”...

Gjukanoviq për Srebrenicën: Beogradi financonte ushtrinë serbe, nuk u duhej “nafta ime” për të vrarë mbi 8 mijë boshnjakë

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit të Parlamentit, Andrija Mandiq, se ai dhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) kanë luajtur rol të drejtpërdrejtë politik dhe logjistik në ngjarjet e kohës së luftës gjatë viteve 1990.

Në një intervistë për gazetën Pobjeda, ai i ka kundërshtuar pretendimet e Mandiqit se Mali i Zi e ka furnizuar me karburant Republikën Serbe, duke kontribuar kështu në zgjatjen e luftës në Bosnje-Hercegovinë. Ai ka hedhur poshtë edhe akuzat që e lidhin me gjenocidin në Srebrenicë.

“Kohët e fundit, ka pasur një shtim të trillimeve të paturpshme nga nacionalistët e ‘Serbisë së Madhe’ dhe shërbëtorët e tyre në Mal të Zi, të cilët pretendojnë se unë jam, as më pak e as më shumë, autori i gjenocidit të Srebrenicës”, ka deklaruar Gjukanoviq.

Ai ka theksuar se tashmë është vërtetuar që Ushtria e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) i ka ofruar mbështetje të konsiderueshme logjistike Ushtrisë së Republikës Serbe (VRS), përfshirë municione, karburant, pjesë këmbimi, trajnime dhe ndihmë teknike.

“Është vërtetuar se në vitin 1993, kur u refuzua plani Vance-Owen, 99,6 për qind e buxhetit të Republikës Serbe vinte nga Beogradi. Ekzistonte një sistem që, përmes Ushtrisë së Jugosllavisë, siguronte mbështetje të vazhdueshme për Ushtrinë e Republikës Serbe. Tribunali i Hagës konstatoi se Ratko Mlladiq ishte pjesë e këtij sistemi dhe se, si oficer i VRS-së, ai e ruajti statusin dhe pagën e tij përmes strukturave të Ushtrisë së Jugosllavisë”, ka thënë Gjukanoviq.

“Prandaj, atyre nuk u duhej ‘nafta e Gkulanoviqit’ për tanket e tyre, e as nuk përdorën tanke për të vrarë më shumë se 8.000 myslimanë boshnjakë në Srebrenicë”, ka theksuar ai.

Gjukanoviq ka kundërshtuar gjithashtu pretendimin e Mandiqit se lufta në Bosnje-Hercegovinë do të kishte përfunduar në vitin 1994. Sipas tij, Kuvendi i Republikës Serbe i kishte refuzuar planet e paqes gjatë viteve 1993 dhe 1994.

Ai ka vlerësuar se emri i tij po përdoret në përpjekje për të fshehur përgjegjësinë e të tjerëve për krimet e luftës të kryera gjatë viteve ’90.

“Ata nuk mund ta fshehin turpin e tyre, qoftë historik apo aktual, madje as kur përdorin emrin e Gjukanoviqit”, ka deklaruar ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments