Thursday, April 25, 2024
HomeBotaFrikë në BE: I ashpri Lindner mund të bëhet ministër i Financave...

Frikë në BE: I ashpri Lindner mund të bëhet ministër i Financave në Gjermani

Fqinjët e Gjermanisë po e përcjellin procesin e formimit të qeverisë së re të ekonomisë më të fuqishme evropiane me shpresë dhe frikë shkaku i shqetësimeve se një politikan me qëndrime të ashpra fiskale po përmendet si i emëruar i mundshëm në postin e ministrit të Financave. Emërimi i tij do të mund ta kthente Evropën në mosmarrëveshjet e ftohta të krizës së eurozonës.

Partia Socialdemokrate, e cila doli e para në Zgjedhje, Të Gjelbrit dhe Partia e Demokratëve të Lirë pritet që t’i fillojnë formalisht bisedimet për koalicionin e ri javën e ardhshme, shkruan The Guardian.

Sipas këtij kombinimi politik, është e qartë se pozita e kancelarit do t’i jepet kandidatit të socialdemokratëve, Olaf Scholz, por vëmendja tash është te një post tjetër i rëndësishëm – ministri i Financave.

Për këtë pozitë po përmendet emri i kryetarit të FDP-së, Christian Lindner. Ai njihet për kundërshtimin ndaj disa vendeve të BE-së në të kaluarën rreth politikave të caktuara. Para katër vjetëve, Lindner kishte bërë thirrje që Greqia të përjashtohej përkohësisht nga eurozona si dhe i kishte kundërshtuar planet ekonomike të presidentit francez, Emmanuel Macron, duke i cilësuar si kthim të BE-së në sistemin e Bashkimit Sovjetik.

Në dimrin mes viteve 2015 e 2016, qëndrimi refuzues i këtij politikani ndaj njërës prej anëtareve kryesore të BE-së, Italisë, kishte shkaktuar një incident të vogël diplomatik në një darkë në Berlin, ku Lindner ishte i ftuar si mysafir nderi. Sipas një pjesëmarrësi tjetër në atë darkë, politikani gjerman kishte thënë: “Ne nuk mund t’i përdorim llogaritë e kursimeve të gjermanëve për t’i shpëtuar kursimet e italianëve.”

Këto fjalë kishin nxitur një reagim të ftohtë të ambasadorit italian në Berlin. Ai e kishte ngritur dorën për të folur dhe ia kishte sjellë ndër mend gjermanit se Italia kishte kontribuar në fondin e ndihmave për Greqinë, që përfundimisht kishte sjellë përfitime për bankat gjermane e franceze. “Nëse më kujtohet saktë, ishin italianët ata që i paguan borgjet gjermane”, ishte kundërpërgjigjur ambasadori italian

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments