Saturday, October 17, 2026
HomeLajmeKosovaFerit Hoxha mirëpret konkluzionet e Këshillit Evropian: Zgjerimi i BE-së, një shans...

Ferit Hoxha mirëpret konkluzionet e Këshillit Evropian: Zgjerimi i BE-së, një shans historik për Shqipërinë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mirëpritur konkluzionet e Këshillit Evropian mbi zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke theksuar se Shqipëria duhet të vijojë me vendosmëri reformat dhe negociatat për anëtarësim.

Në reagimin e tij, Hoxha vlerëson riafirmimin e zgjerimit si një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.

Ai thekson gjithashtu se procesi i anëtarësimit duhet të mbështetet te parimi i meritës dhe te progresi i secilit vend kandidat.

“Por anëtarësimi nuk dhurohet. Ai fitohet, vetëm me punë, reforma, rezultate, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri”, theksoi ai.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mirëpret konkluzionet e Këshillit Evropian mbi zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Ne vlerësojmë riafirmimin e qartë se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Ky është një mesazh i rëndësishëm në një kohë kur Bashkimi Evropian duhet të forcojë më tej unitetin, kapacitetin e tij për të vepruar dhe sovranitetin evropian.

Ne mirëpresim gjithashtu riafirmimin e parimit të meritës, sipas të cilit çdo vend kandidat avancon në procesin e anëtarësimit mbi bazën e progresit të vet.

Shqipëria ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar për të vijuar me vendosmëri reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që burojnë nga procesi i negociatave. Progresi ynë do të matet dhe vlerësohet mbi bazën e punës, performancës dhe rezultateve tona.

Në thelb, konkluzionet e Këshillit Evropian forcojnë më tej bindjen se zgjerimi është sot në zemër të agjendës strategjike evropiane dhe se perspektiva e anëtarësimeve të reja po bëhet gjithnjë e më konkrete.

Për Shqipërinë, si një nga vendet në pararojë të këtij procesi, përgjigjja duhet të jetë e qartë: të vijojë, pa humbur kohë, me vendosmëri dhe përgjegjësi, reformat dhe negociatat, përmes të cilave do të arrijë gatishmërinë e plotë për anëtarësim.

Ky është një shans historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kurrë nuk kemi qenë më pranë realizimit të aspiratës sonë më të madhe dhe më të qëndrueshme kombëtare, kërkesës së kahershme të rinisë dhe të gjithë shoqërisë shqiptare: Shqipëria në Evropë.

Por anëtarësimi nuk dhurohet. Ai fitohet, vetëm me punë, reforma, rezultate, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri.

Rruga deri këtu ka kërkuar shumë energji, përpjekje dhe sakrifica. Shqipëria ka treguar se i ka edhe energjitë, edhe aftësitë, edhe përkushtimin.

Pikërisht sepse kemi pritur kaq gjatë dhe sepse e dimë se, në histori, mundësi të tilla nuk qëndrojnë të hapura përgjithmonë, nuk mund t’ia lejojmë vetes ta humbasim këtë moment.

Dora e zgjatur e BE-së duhet shtrënguar fort, duke ecur krah për krah deri në anëtarësim.

Duke nxjerrë mësimet nga e kaluara, ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që ky kapitull transformues i historisë sonë moderne, më i rëndësishmi për të sotmen dhe të ardhmen tonë, të bëhet historia e një tjetër shansi të humbur”, thuhet në njoftimin e plotë të Hoxhës.

 

Konkluzionet e Zulfajt: S’ka unitet në BE, nëse procesi do të bazohej në merita do të ishim ndër vendet prijëse në integrime

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments