Gazeta Sinjali raportoi dje për një tjetër rast tronditës të dhunimit të një vajze të mitur nga Suhareka që dyshohet se ka ndodhur së fundmi. Viktima 13-vjeçare, e cila u raportua e zhdukur dhe u gjet pas dy ditësh dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga dy persona. Durak Daka, 21-vjeçar, është i arrestuari i parë, teksa Policia ka arritur që të identifikojë edhe të dyshuarin e dytë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari i dytë është Planet Berisha [19-vjeçar] dhe i njëjti tashmë është arrestuar.

Berisha është shoqëruar në stacion policor për intervistim, por sipas informacioneve që posedon Sinjali, ai ka refuzuar të deklarohet, duke shfrytëzuar të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

Çka dihet për ngjarjen e trishtë?

Siç raportoi Sinjali, edhe Policia e konfirmoi se rasti u zbulua pasi  13-vjeçarja nga Suhareka u denoncua e zhdukur nga familja e saj dhe Policia arriti ta gjejë atë në qytetin e Vushtrrisë. E mitura ishte raportuar e zhdukur më 16 mars dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj, deri më 18 mars, ku një njësi policore ra në gjurmët e saj.

Sipas informacioneve të para, vajza 13-vjeçare gjatë kësaj kohe ka qëndruar me dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të. Daka dhe Berisha dyshohen se e kanë dhunuar vajzën në disa motele të ndryshme.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza u gjet, është dërguar në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për t’i kapur personat e dyshuar dhe si rezultat njëri prej tyre është arrestuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, i riu është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.