Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, tha të premten se e ka mirëpritur dakordimin e Izraelit për pauzë humanitare në ofensivën e tij në Gaza, por duhet të bëhet më shumë.

“Shumë palestinezë janë vrarë. Ka shumë që kanë vuajtur javët e fundit, dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar dëmtimin e tyre, dhe për të rritur ndihmën që u jepet atyre,” tha Blinken duke folur në Nju Delhi.

Të enjten, Shtëpia e Bardhë tha se Izraeli është pajtuar për pauza katërorëshe humanitare çdo ditë në veri të Gazës, ku po lufton me grupin palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se ka siguruar një rrugë të dytë për civilët që të ikin nga luftimet.

Presidenti Biden i kishte kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të vendoste pauza ditore.

Këtë kërkesë ai e kishte bërë gjatë një bisede telefonike që zhvilloi në fillim të kësaj jave.

Luftimet kanë shpërthyer në veri të Gazës që kur grupi ekstremist Hamas sulmoi komunitetet në jug të Izraelit dhe sipas zyrtarëve izraelitë, vranë 1.400 njerëz dhe morën peng rreth 240 të tjerë, në atë që njihet si sulmi më i keq në historinë e vendit.

Izraeli, më pas, është hakmarrë me bombardime ajrore dhe ofensivë tokësore, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, të drejtuar nga grupi ekstremist palestinez, kanë vrarë më shumë se 10.800 njerëz, në mesin e të cilëve shumë fëmijë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mirëpriti të enjten pauzat, të cilat zyrtarizojnë një marrëveshje.

“Unë mendoj se është bërë njëfarë progresi. Por unë, gjithashtu, isha shumë i qartë se duhet bërë më shumë për të mbrojtur civilët dhe për dhënien e ndihmës humanitare për ta”, tha Blinken.

Sipas tij, pauzat katërorëshe të dakorduara nga Izraeli, si dhe dy korridore humanitare, do t’i lejojnë njerëzit të largohen nga lufta.

“Këta hapa do të shpëtojnë jetë dhe do të mundësojnë më shumë ndihmë për të arritur te palestinezët në nevojë,” shtoi ai.

Vizita e Blinkenit në Indi është ndalesa e fundit e një udhëtimi maratonë që ka përfshirë Korenë e Jugut dhe një takim të ministrave të jashtëm të G7-ës [shtatë vendeve më të industrializuara në botë], në Japoni.

Atje, ai synoi të gjente gjuhë të përbashkët për luftën Izrael-Hamas./