Thursday, March 28, 2024
HomeLajmeKosovaAmbasadori shqiptar: Kurti të lërë adoleshencën diplomatike e të sillet si burrë...

Ambasadori shqiptar: Kurti të lërë adoleshencën diplomatike e të sillet si burrë shteti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq pritet që të takohen së shpejti në Bruksel për të shënuar edhe rifillimin e dialogut mes dy vendeve.

 

Megjithatë, përplasjet në distancë kanë filluar që tani. Kurti ka deklaruar se nuk ka për të pasur Asociacion një-etnik në Kosovë, ndërsa presidenti serb nga ana tjetër ka paralajmëruar se nëse kryeministri kosovar ka këtë qëndrim atëherë le të mos shkojë farë në takim.

Por, diplomati shqiptar, Arben Çejku, u shpreh se Kurti është duke shkuar në Bruksel si kreu i qeverisë dhe jo si lideri i LVV-së dhe për këtë arsye duhet të përgatitet si kurrë më parë.

Sipas tij, kryeministri kosovar po shkon në takimin me Vuçiqin për interesat e tij personale ndërsa shtoi se kjo që po bën Kurti është një “adoleshencë diplomatike”.

“Kjo nuk është çështje që mund të mbahet brenda kornizës politike të ndjekur nga LVV-ja… Nuk e di deri ku do të shkojë me këto koncepte. Nuk do të shënojë ndonjë arritje. Nuk besoj se nuk e kupton ku qëndron Kosova. Kërkon ta shfrytëzojë këtë takim për interesat e veta. Kjo është një adoleshencë diplomatike, diplomacia reale e Kosovës është të marrë sfidën parasysh”, u shpreh ai në ABC.

Diplomati Çejku solli në vëmendje se tashmë me ardhjen në pushtet të administratës Biden në SHBA, kemi një rikthim në të njëjtën tryezë të interesave SHBA-BE. Dhe, sipas tij, Kurti dhe Vuçiqi nuk mund të ndjekin agjendat e tyre personale, duke anashkaluar interesat e këtyre dy faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.

“Rikthimi në të njëjtën tryezë BE-SHBA ka domethënien e vet. Interesi i tyre është që në rajonin e Ballkanit të ketë një stabilitet dhe paqe. Kurti u bë kryeministër pas një retorike për zhvlerësimin e dialogut, Vuçiqi ka përpara zgjedhje… Të dy nuk anashkalojnë dot interesin e SHBA-së për siguri dhe stabilitet në Ballkan”, deklaroi diplomati shqiptar.

Arben Çejku theksoi se duhet që Albin Kurti të marrë në konsideratë rëndësinë e këtij hapi që do të merret në Bruksel. Diplomati po ashtu tregoi dy skenarët që mund të ndodhin duke marrë parasysh qëndrimet e dy liderëve.

I pari është që të vazhdohen apo ndryshohen në një version final marrëveshjet ekzistuese mes dy vendeve ndër vite, dhe opsioni i dytë është nisja e një kapitulli të ri. Këtë skenar Çejku e gjykon si më penalizues për Kosovën.

“Në tryezën e bisedimeve mund të vijnë të gjitha opsionet që qarkullojnë edhe versionet ‘non paper’. Serbia kërkon të fitojë kohë. Çdo shmangie nga ballafaqimi realist me Kosovën është i dëmshëm”, potencon ai.

Kërkesa e tij për Kurtin, përpara se të niset në Bruksel është: “Të sillet si burrë shteti që ka marrë përgjegjësi për të udhëhequr Kosovën”.

Ambasadori Çejku ishte Shef i Misionit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, nga viti 2005 deri më 2009.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments