Tuesday, April 30, 2024
HomeLajmeAmbasadat, presidentja, opozita/ Reagimet për rastin e Klan Kosovës

Ambasadat, presidentja, opozita/ Reagimet për rastin e Klan Kosovës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dje ka njoftuar se e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.

Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova.

Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK, anuloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës por më 21 qershor, ajo e shfuqizoi vendimin. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit, shkruan REL.

Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat.

Pas ankesës së Klan Kosovës, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi më 28 korrik se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

“Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, njoftoi MINT të premten.

Klan Kosova ka thënë pas vendimit se “në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë një qasje të tillë autoritare” nga institucionet e shtetit dhe se çështjen do ta dërgojë në gjykatë.

“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhet në njoftimin e Klan Kosovës.

Për këtë vendim të MINT-it ka pasur shumë reagime, një ndër to ka qenë edhe presidentja Osmani.

Ajo mbrëmë ka kërkuar që çështja e licencës së televizionit të bëhet “duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.

“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”, thuhet në një komunikatë për media të presidencës.

Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari “kanë marrë vendim politik për të mbyllur Klan Kosoven”.

Ajo e përshkroi vendimin si “sulmi më i madh” që i është bërë pluralizmit të medias dhe demokracisë në Kosovës nga një parti politike.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i “alarmuar” me vendimin e Komisionit të Ankesave për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar atë si të “motivuar politikisht” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

“AGK-ja beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në një reagim të asociacionit.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Evropianë (FGE), Ricardo Gutierrez, i cili shkroi në Tëitter se Kosovën e kanë mbuluar “ditë të zeza të censurës shtetërore”, dhe se Qeveria më në fund “korri sukses në mbylljen” e Klan Kosovës.

“Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në liberalizmin më konservator, duke i përbuzur plotësisht vlerat e BE-së”, shkroi Gutierrez.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim, siç kanë thënë, të thellë, me vendimin e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ta konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

“Ne jemi, në veçanti, të shqetësuar me heqjen e licencës së biznesit të Klan Kosovës me një vendim joproporcional, i cili do të ketë pasoja në pluralitetin e medias në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të QUINT-it dhe BE-së të premten vonë.

Kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për pezullimin e licencës së biznesit për televizionin Klan Kosova. Davenport ka thënë se një vendim i tillë e thellon shqetësimin e OSBE-së.

Ai ka shprehur besimin e tij se KPM në diskutimet e tij do të respektojë përgjegjësinë për të mbrojtur lirinë dhe pluralizmin e medias në Kosovë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kurtit për të mbyllur Klan Kosovën. Krasniqi ka thënë se vendimi është i papranueshëm, i rrezikshëm dhe kundër secilës vlerës demokratike mbi të cilat është ngritur Kosova.

“Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë”, ka shkruar Krasniqi dje.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë. Abdixhiku në reagimin e tij shkruan se pushteti i Kurti dëshiron kriza dhe frikë.

Në fund ai ka thënë se urdhërdhënsit e PolitByrosë dhe ekzekutuesit e urdhrave brenda institucioneve do të mbahen përgjegjës para ligjit herët ose vonë.

Për vendimin e Ministrisë, dje ka reaguar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai i ka thënë Kurtit se nuk mbulohet dielli me shoshë dhe s’mbyllen mediat në një vend evropian.

Haradinaj tutje ka thënë se Kosova s’është Kore e Veriut dhe i ka bërë thirrje Kurtit që të heq dorë nga ky vendim i “çmendur” për mbylljen e Klan Kosovës.

“Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Nuk mbyllen mediat në një vend evropian! Nuk jemi Kore e Veriut! Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet! Dil kërkoju falje popullit e gazetarëve të Klan Kosovës e ruaje pak fytyrë!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka shkruar se “një Qeveri që i lufton mediat është e drejtuar kundër njerëzve. Një Qeveri që i mbyllë mediat do errësirë dhe nënshtrim”.

“Qeverisja bëhet regjim teksa ndjell heshtje dhe frikë. Ata që duan të na mbyllin na shohin si idiotë që mashtrohemi nga secila propagandë. Prandaj heshtje varri”, ka shkruar ai dje.

Edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, është deklaruar dje pas shumë reagimeve ndaj vendimit të ministrisë së saj për pezullimin e licenës së televizionit Klan Kosova.

Hajdari ka thënë se në ministrinë që drejton është vendosur që të mbrohet rendi dhe ligji, për përjashtim dhe diskriminim.

Ajo ka thënë se për rastin e Klan Kosovës procedimi ka përfunduar dhe i ka bërë thirrje prokurorisë dhe policisë që të hetojnë shkeljet që sipas saj janë bërë nga Klan kosova dhe nga disa zyrtarë të ARBK-së.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments