Tuesday, July 27, 2021
HomeShëndetësiA ekziston ndonjë ilaç që nuk shkakton asnjë efekt anësor?

A ekziston ndonjë ilaç që nuk shkakton asnjë efekt anësor?

Asgjë në këtë jetë nuk është plotësisht e sigurtë. Madje edhe pirja e tepërt e ujit mund të të dëmtojë. Nëpër gazeta mund të haset në storie të ndryshme rreth njerëzve që vdesin si rezultat i mbidozës së ujit. Shumica e këtyre resteve kanë ardhur si rezultat i garave të pijes, ‘disiplinës’ ekstreme të fëmijëve apo dietave jashtëzakonisht rigoroze. Për shembull, Jennete Killpack u dërgua në burg për vrasjen e vajzës së saj, të cilën në shenjë dënimi e kishte detyruar të pinte ujë në sasi shumë të mëdha. Një tjetër rast i veçantë është edhe ai i Jennifer Strange e cila vdiq nga mbidoza e ujit derisa merrte pjesë në një konkurs për pirjen e ujit (i sponsorizuar nga një stacion radio lokale).                                                                       

Pirja e ujit në nivele të larta çon në një gjendje potencialisht vdekjeprurëse të njohur si “dehja me ujë” ose “hiponatremia holluese”. Në këtë gjendje, uji i tepërt hollon (dobëson) natriumin në trup deri në përqendrime të ulta të rrezikshme, duke bërë që truri të marrë ujë dhe të fryhet deri në pikën kritike. Në këtë mënyrë, edhe një substancë që konsiderohet si një nga më pak toksiket në botë – mund t’ju vrasë. I njëjti koncept vlen për gjithçka që hani, pini, thithni apo prekni. Qoftë edhe oksigjeni të cilin e merrni përmes frymëmarrjes, që është thelbësor për jetën, mund të shkaktojë dehje dhe vdekje kur mirret fyrmë në rastet kur presioni është i lartë.

Nuk është qëllimi që të ju shkaktohet frikë për çdo gjë që ju rrethon. Ajo çka është e rëndësishme të dini është se të pasurit nevojë për një pilulë është krejtëisht normal, por përdorimi i saj nuk sigurohet nga askush që është plotësisht i sigurtë. Një qasje më e mirë është të bëni zgjedhje të sigurtë të pilulës, ushqimit ose pijes. Të pirit shumë ujë mund të ju vrasë, por në të njëjtën kohë edhe të pirit e ujit nën nivle të duhura ju vret po ashtu. Mënyra më e sigurtë është të pirit e ujit në mënyrë të moderuar. Meqë nuk ekziston “siguria e përkryer”, ekzistojnë disa mënyra që sigurojnë “siguri relative” në krahasim me mënyrat tjera. Qasja më e mirë është të zgjedhni atë mënyrë veprimi që maksimizon përfitimet afatgjata dhe në të njëjtën kohë minimizon rreziqet afatgjata. Për shembull, një grua shtatzënë me të vjella të pakontrollueshme (hyperemesis gravidarum, e cila është e ndryshme dhe më e rëndë sesa të vjellat e mëngjesit) përballet me zgjedhjen e marrjes së ilaçeve antiemetike siç është prometazina. Derisa marrja e ilaçeve antiemetike mbart rreziqe të caktuara, mosmarrja e ilaçit mbart një rrezik akoma më të madh dhe shumë real – të vdekurit nga dehidratimi si rezultat i të gjithë të vjellurave (autorja Charlotte Bronte besohet të ketë vdekur nga dehidrimi i shkaktuar nga hyperemesis gravidarum). Në këtë rast, marrja e vendimit për të marrë antiemetikë rezulton me përfitim me të madh sesa rrezik. Në të kundërt, një grua shtatzënë që ka vetëm sëmundjen ‘standarde’ të mëngjesit nuk rrezikon të vdesë nga dehidrimi. Për gratë e tilla, marrja e antiemetikëve bëhet veprimi më i rrezikshëm dhe jep pak përfitim afatgjatë. Për këtë arsye, mjekët zakonisht nuk u përshkruajnë antiemetikë grave me sëmundje standarde të mëngjesit. Siç duhet ta keni të qartë tashmë, ju nuk mund t’i etiketoni disa substanca si gjithmonë të sigurta dhe disa të tjera si gjithmonë të rrezikshme. Situata është më e komplikuar se kaq. Në përgjithësi, ka disa faktorë që përcaktojnë rrezikun që një substancë mund të dëmtojë një person:

1. Toksiciteti i substancës

Kjo tregon se sa dëm mund të shkaktojë një sasi standarde e substancës. Uji ka një toksicitet shumë të ulët, kafeina ka toksicitet të mesëm, dhe arseni ka toksicitet të lartë. Kjo cilësi është e lindur për vetitë kimike të substancës. Për shkak të rrezikut të tyre të lartë edhe kur janë në sasi të vogla, substancat me toksicitet të lartë rregullohen, trajtohen dhe administrohen zakonisht nga profesionistë të trajnuar.

2. Doza e substancës

Kjo është tregon sasisë totale të substancës që personi merr ose i ekspozohet. Siguria e një lënde varet shumë nga doza. Pirja e një filxhani zbardhues të pastër shtëpiak do të bëjë dëm të konsiderueshëm, por shtimi i një lugë çaji zbardhues në 5 litra ujë mund të ndihmojë që uji të jetë më i sigurt për t’u pirë. Dozat e larta të morfinës mund të shkaktojnë gjendje anormale të mendjes dhe frymëmarrje të ngadalësuar, por sasia e vogël e morfinës që gjendet natyrshëm në farat e lulekuqës do të ketë shumë pak efekt.

Përtypja e një karameli jamballi është e padëmshme, por ngrënia e disa thasëve me jamball mund t’ju shkaktojë presion të lartë të gjakut aq sa të keni nevojë të shkoni në spital.
Për substancat që trupi nuk i kërkon në mënyrë që të funksionojë normalisht, doza më e sigurt është tipikisht doza më e ulët që mund të arrihet praktikisht. Një kimikat nuk mund t’ju ​​dëmtojë asnjëherë nëse nuk i ekspozoheni në sasi të konsiderueshme. Për substancat për të cilat trupi ka nevojë, situata është më e komplikuar. Prandaj, për substanca të tilla si oksigjeni, uji, ushqimi, vitaminat, elementët dietikë dhe ilaçet e nevojshme për të trajtuar sëmundjet, ekziston një dozë ideale diku në mes mes zero dhe toksikisht fatale. Si mund ta dini se cila është doza ideale? Për lëndët ushqyese të thjeshta, trupat tanë kanë mekanizma të integruar të feedback-ut. Nëse jeni duke pirë shumë pak ujë, ndiheni të etur. Nëse jeni duke pirë shumë ujë, ndiheni të përzier. Për sa kohë që ju dëgjoni trupin tuaj (dhe nuk keni ndonjë sëmundje), ka shumë pak mundësi që të vdisni nga dehidrimi ose dehja prej uji. Për ilaçet, situata është më e ndërlikuar pasi që trupi nuk ka gjithmonë mekanizma natyrorë për t’ju thënë se jeni duke marrë shumë ose shumë pak ilaçe. Për këtë arsye, duhet një mjek i trajnuar që mbështetet në një ‘bibliotekë’ njohurishë në mënyrë që të përcaktojë dozën ideale. “Dozimi ideal” është çdo gjë që siguron përfitimin më të madh në lidhje me rrezikun, duke pasur parasysh që mos trajtimi ose nën-trajtimi i një sëmundje mbart rreziqet e veta.


3. Ndjeshmëria unike e personit ndaj substancës dhe gjendjes së tij shëndetësore

Të gjithë janë të ndryshëm, dhe prandaj i përgjigjen ndryshe dozës së caktuar të një substance të caktuar. Ngrënia e sasive të moderuara të grurit mund të jetë krejtësisht e shëndetshme dhe e padëmshme për shumicën e njerëzve, por për një person me sëmundjen Celiac, qoftë edhe ngrënia e një copëze të vetëme gruri mund të shkaktojë dëme dhe shqetësime. Në mënyrë të ngjashme, një person që merr një dozë tipike medicinale të morfinës për herë të parë, nuk do të ketë një tolerancë ndaj ilaçit dhe për këtë arsye do të përgjigjet shumë më fort sesa një përdorues kronik i morfinës që merr të njëjtën dozë. Si një shembull tjetër, një person me presion të lartë të gjakut është më i rrezikuar kur ha sasi të mëdha të kripës sesa një person tipik. Cilado qoftë substanca, siguria e një doze të caktuar varet nga ndjeshmëria e individit. Për më tepër, barna të caktuara mund të ndryshojnë sa fort i përgjigjeni barnave të tjera. Prandaj, siguria e një ilaçi të caktuar varet edhe nga medikamentet tjera që aktualisht merrni. Përfundimi është se nëse një dozë e caktuar e një substance specifike është opsioni më i sigurt varet nga situata juaj unike shëndetësore. Mjekët dokumentojnë gjatësinë, peshën tuaj, alergjitë, ndjeshmërinë, ilaçet aktuale, sëmundjet e njohura dhe rezultatet e provave laboratorike në mënyrë që të përshkruajnë dozën e duhur të ilaçit të duhur për nevojat tuaja individuale.

Meqenëse siguria e një substance varet nga toksiciteti i saj, doza dhe nga gjendja juaj unike shëndetësore, mënyra më e sigurt është zakonisht marrja e ilaçeve dhe dozave të përshkruara nga një mjek i aftë, i cili ka njohuri rreth shëndetit tuaj. Marrja e më shumë ilaçeve sesa të përshkruara mund të jetë e rrezikshme pasi që ilaçi mund të rritet deri në nivele toksike që trupi juaj nuk mund t’i përballojë. Marrja e më pak ilaçeve se sa të përshkruara mund të jetë gjithashtu e rrezikshme pasi mund të lejojë që sëmundja juaj të vazhdojë të shkaktojë dëm. Nëse nuk i besoni mjekut tuaj, atëherë shkoni të vizitoni një mjek tjetër dhe të merrni një mendim të dytë. Por thjesht shmangia e ilaçeve sepse jeni të shqetësuar se ato nuk janë krejtësisht të sigurta mund të çojë në probleme serioze shëndetësore më vonë. Nëse shikoni dokumentacionin që vjen me ndonjë ilaç të përshkruar, do të shihni një listë të gjatë të efekteve anësore të mundshme. Listat e tilla të gjata të efekteve anësore mund të jenë alarmante. Kjo listë nuk do të thotë që ju personalisht do të përjetoni të gjitha ose ndonjë prej atyre efekteve anësore. Për më tepër, kjo listë nuk do të thotë që shmangia e ilaçeve është opsioni juaj më i sigurt. Nëse do të shmangni çdo ilaç dhe substancë që ka një listë të gjatë të efekteve anësore alarmante, do të detyroheshit të shmangni gjithçka, përfshirë edhe ujin.
Përfundimisht ju duhet të bazoheni në vendimin tuaj për marrjen e një ilaçi dhe në këshillën e mjekut tuaj, e jo në ekzistencën e një liste të gjatë të efekteve anësore për ilaçet.

Marrë nga: “Pyetjet shkencore me përgjigje befasuese”, pyetje të cilës i’u përgjigj Dr. Christopher S. Baird – profesor i Fizikës në Universitetin A&M të Teksasit Perëndimor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments