Shtetet e Bashkuara kanë filluar që të dërgojnë doza të vaksinës për Covid-19 jashtë vendit. Një ndër përfitueset e para është Koreja Jugore, ndërsa edhe Kosova është në mesin e 13 shteteve që do të marrin vaksina nga ShBA-ja.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, njoftoi përmes një postimi në Twitter se një milion doza të vaksinës së kompanisë “Johnson & Johnson” janë nisur drejt Koresë Jugore.
“Me këto doza ne po i garantojmë sigurinë dhe gatishmërinë e forcave koreane dhe amerikane. Miqësia mes dy vendeve tona është e thellë, sidomos në kohën e nevojave të mëdha”, shkroi Price në rrjete sociale.
Ndryshe, presidenti Joe Biden ka prezantuar një plan për dërgimin e 25 milionë dozave të vaksinës në vende të ndryshme të botës dhe ka thënë se do ta lehtësojë qasjen e shteteve tjera në furnizimet amerikane për prodhimin e vaksinave.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se vendi i tij do të dhurojë vaksina pa pritur favore politike si kundërshpërblim. Shtetet e Bashkuara do të dhurojnë rreth 19 milionë doza përmes programit COVAX. Rreth 6 milionë doza do të dhurohen në Amerikën Latine, ndërsa 5 milionë të tjera në Afrikë.