Monday, August 17, 2026
HomeLajmeKosovaAksidenti në KEK, humb jetën punëtori Haxhi Gojnovci - punonte aty prej...

Aksidenti në KEK, humb jetën punëtori Haxhi Gojnovci – punonte aty prej mbi 40 vitesh

Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në vendin e punës.

Sipas njoftimit të KEK-ut, viktima është Haxhi (Selatin) Gojnovci, i lindur më 23 prill 1967 në Lismir të Fushë Kosovës.

Aksidenti kishte ndodhur të dielën në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit të KEK-ut, ku fillimisht ishte raportuar se një punonjës kishte pësuar lëndime të rënda.

Pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kishin dalë Policia e Kosovës dhe ekipet e ndihmës së shpejtë.

Sipas njoftimit të fundit të KEK-ut, viktima Haxhi Gojnovci, ishte gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, pësoi aksidentin fatal.

“Më 16.08.2026, gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, i ndjeri ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Gojnovci ishte pjesë e KEK-ut që nga viti 1985 dhe për më shumë se katër dekada kishte dhënë kontributin e tij në Korporatë.

“Ai do të kujtohet me respekt për përkushtimin, përgjegjësinë, korrektësinë dhe sjelljen e tij shembullore në punë, si dhe për raportet e mira kolegiale që ndërtoi ndër vite”, thuhet tutje në njoftim.

KEK-u u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij. /Telegrafi/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments