Friday, July 31, 2026
HomeLajmeKosovaAbdixhiku: Kuvendi ishte i panevojshëm, por e pranoj me përulësi vendimin e...

Abdixhiku: Kuvendi ishte i panevojshëm, por e pranoj me përulësi vendimin e delegatëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të Kuvendit të partisë, duke deklaruar se e pranon me përulësi vendimin e delegatëve dhe se do ta marrë atë si një përgjegjësi të re.

Përmes një reagimi publik, Abdixhiku tha se kishte besuar se Kuvendi ishte i panevojshëm, i dëmshëm dhe i ngutshëm, por theksoi se tani ai i takon së shkuarës.

“Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai vlerësoi se mesazhi më i rëndësishëm i Kuvendit ishte se LDK i përket anëtarësisë, ndërsa u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të kontribuojnë për unitetin e partisë.

“Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën. Ky është roli ynë si LDK e vërtetë”, u shpreh ai.

Në reagimin e tij, Abdixhiku theksoi se vendi ka nevojë për stabilitet institucional, institucione funksionale dhe një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo interes tjetër.

“Mbrëmë mbyllëm një kapitull. Sot fillojmë punën, së bashku. Për LDK-në e anëtarësisë. Për Republikën e popullit tonë”, përfundoi ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments