Kosova ka regjistruar një deficit tregtar prej 544.4 milionë eurosh në muajin maj 2026, duke shënuar një rritje prej 4 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksportet në këtë muaj kanë arritur vlerën 94.1 milionë euro, ndërsa importet 638.6 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, eksportet janë rritur me 15.7 për qind, ndërsa importet me 5.6 për qind.
ASK bën të ditur se eksportet vazhdojnë të përbëhen kryesisht nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre (27.5%), plastika dhe goma (11.1%), ushqimet e përgatitura dhe pijet (10.7%), si dhe produktet minerale (8%).
Në anën tjetër, importet dominohen nga produktet minerale (15.2%), ushqimet dhe pijet (12.6%), makineritë dhe pajisjet elektrike (12%), si dhe mjetet e transportit (11.7%).
Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, eksportet e Kosovës kanë arritur në 30.8 milionë euro, me rritje prej 6.3 për qind, ndërsa importet nga BE-ja kanë shkuar në 301.3 milionë euro, duke përbërë 47.2 për qind të totalit.
Ndër partnerët kryesorë të BE-së për eksport janë Gjermania, Italia dhe Holanda, ndërsa për import Gjermania dhe Italia mbeten në krye.
Rritje është shënuar edhe me vendet e CEFTA-s, ku eksportet kanë arritur në 43.1 milionë euro (rritje 24.6%), ndërsa importet në 85.3 milionë euro (rritje 22.5%). Partnerët kryesorë mbeten Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.

