Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka marr pjesë në Samitin e tetë të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë.
Kurti gjatë pjesëmarrjes në këtë samit është takuar me liderë botërorë. Ai po ashtu ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua situata politike në rajon si dhe çështjet e sigurisë, në një kontekst gjithnjë e më të ndërlidhur të sfidave ndërkombëtare.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e linjëzimit me Bashkimin Evropian në adresimin e këtyre sfidave dhe në avancimin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke nënvizuar progresin e vendit tonë dhe nevojën për trajtim të drejtë, të bazuar në meritë.
“Po ashtu, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, i cili u vlerësua si një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit u diskutua edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku Kryeministri në detyrë Kurti ngriti shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për Luginën nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryeministri në detyrë në kuadër të Samitit të tetë të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan ishte pjesë e dy paneleve: “European Coalition Against Drugs” dhe “Reinforcing Democratic Resilience and Addressing Hybrid Threats”.“Pata kënaqësinë të takoj e bisedoj me miq si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së Kaja Kallas, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden, kryeministri i Finlandës Petteri Orpo, Princi Albert II i Monakos, e po ashtu liderë shtetesh me të cilat synojmë të lidhim marrëdhënie diplomatike si presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy”, shkruan Kurti.Ai tutje theksoi se Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si një domosdoshmëri por edhe si garancia më e mirë për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon në njërën anë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në anën tjetër.“Njohja e Republikës së Kosovës, e cila është e rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, nga vendet që ende hezitojnë ta bëjnë këtë dhe avancimi i statusit në shtet kandidat për anëtarësim janë hapat që duhet t’i paraprijnë një procesi të bazuar në merita”, ka thënë Kurti./Telegrafi

