Friday, March 29, 2024
HomeLajme10 ankesa te Avokati i Popullit, a po përfundon ligji për paga...

10 ankesa te Avokati i Popullit, a po përfundon ligji për paga në Kushtetuese?

Ligji për Pagat në Sektorin Publik me shumë gjasë do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Deri tani, në adresë të Institucionit të Avokatit të Popullit kanë shkuar 10 kërkesa të tilla. Për kompetencat e Avokatit të Popullit në këtë rast dhe nenet që mund t’i anulojë Kushtetuesja, kanë folur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sekreti disa mujor i Qeverisë Kurti lidhur me vlerën e koeficientit të pagave, është zbuluar më në fund. Në mbledhjen e djeshme, kryeministri Albin Kurti tha se është vendosur që vlera e koeficientit të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 për vitin 2024.

Nga kjo vlerë e koeficientit, u prekën më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, do të marrin pagë shumë më të ulët. Sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), atyre u janë ulur pagat për 25 përqind.

Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor kanë kërkuar menjëherë nga Avokati i Popullit që ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Nga KGJK kanë thënë se ky ligj dhe vendimi i Qeverisë për koeficientin paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

Por, KPK e KGJK s’janë të vetmet që janë ankuar për këtë ligj.

Petrit Çollaku nga Institucioni i Avokatit të Popullit i ka thënë Gazetës Express se deri tash kanë pranuar dhjetë ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik.

Përveç Këshillit Prokurorial, ankesa kanë dorëzuar edhe auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, dhe mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 10 (dhjetë) ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, dhe mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka deklaruar Çollaku.

Ai ka theksuar se Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, ky insititucion do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Çka ndodhë nëse Ligji përfundon në Kushtetuese?

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se e kanë proceduar Ligjin e Pagave te Avokati i Popullit më 6 janar dhe se ka kërkuar nga i njëjti që brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore ta procedojë këtë ligj për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese

Gëzim Shala nga ky Institut ka folur për Gazetën Express lidhur me procedurat që vijojnë pas ankesave te Avokati i Popullit.

Sipas Shalës, Avokati i Popullit ka kompetencë që brenda gjashtë muajve që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ta procedojë të njëjtin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

E kur Ligji shkon në Kushtetuese, Shala thotë se kjo Gjykatë ka mundësi që të anulojë vetëm nene të caktuara të Ligjit të cilat konsiderohen se janë kundër kushtetuese, nëse nuk gjenë se nene të caktuara ndikojnë në tërësinë e Ligjit.

“Sipas Kushtetutës dhe Ligjit, në këtë rast, Avokati i Popullit ka kompetencë që brenda gjashtë muajve që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ta procedojë të njëjtin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.  Me rastin e shqyrtimit të këtij Ligji nga Gjykata Kushtetuese, kjo Gjykatë ka mundësi që të anulojë vetëm nene të caktuara të Ligjit të cilat konsiderohen se janë kundër kushtetuese, nëse nuk gjenë se nene të caktuara ndikojnë në tërësinë e Ligjit”, ka deklaruar Shala për Express.

Nga IKD vlerësojnë se Ligji për Pagat në Sektorin Publik është një ligj që nuk përmbush standardet kushtetuese dhe se për këtë arsye, në këtë situatë, veprimi i Avokatit të Popullit është i domosdoshëm.

KDI: Gjyqtarit e prokurorit u është ulur paga për rreth 25%, gjyqtari do të paguhet 1200 euro nga 1600 euro

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës ka dalë dje me një reagim, ku vlerësoi se vlera prej 105 euro për koeficientin nuk përkon me pritshmëritë dhe kërkesat e punëtoreve të sektorit publik.

Sipas KDI, e metë kryesore e Ligjit për Pagat në sektorin publik mbetet çështja e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë.

KDI vlerëson se “ky koeficient e zhvlerëson pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit duke ua ulur pagat për rreth 25%. Kështu një Gjyqtar i Gjykatës Themelore do të paguhet 1200 euro nderkohë që paga e tij/saj bazë ishte 1600 euro në muaj” thuhet në reagim.

“Ulja e pagave aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga Qeveria po arsyetohet si arritje e “barazisë” së pagave në sektorin publik është kundër kushtetuese dhe në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet tutje në reagim.

Kurti ua tregoi bruto pagat qytetarëve për t’u dukur më të larta

Kryeministri Albin Kurti publikoi dje në faqen e tij zyrtare disa infografika, ku krahasoi pagat aktuale bazë të disa kategorive dhe ato që do t’i kenë me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në Sektorin Publik.

Në infografikat e publikuara nga Kurti, pagat janë llogaritur në bruto, ashtu që edhe rritja duket më e madhe, edhe pse s’janë përfshirë përvoja e punës dhe shtesat e tjera.

Për këtë ka reaguar edhe ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili e ka quajtur këtë grafikë manipuluese.

“Infografika manipuluese e Qeverise. Nuk e tregon rritjen ne pagen neto, por vetem ne bruto. Rritja ne bruto, mund te perfshij pagen baze, shujtat, shtesat, taksat, kontributin pensional, etj. Ne fund ajo cka merret per baze eshte: sa euro shtese, ose sa euro minus jane ne llogarine e secilit”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments