Në orën 09:30, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin “Banjska”, ku të akuzuar janë Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Të tre po përballen me akuza të rënda që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit të organizuar që mori pjesë në sulmin e armatosur, i cili kishte për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në veri të vendit.
Prokuroria ka paraqitur një sërë provash materiale dhe dëshmish që lidhen me rolin e secilit prej të akuzuarve në ngjarjet tragjike të asaj dite.
Ndryshe në seancën e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila dështoi, dëshmitarja Dragana Antonijeviq nuk ishte paraqitur në gjykatë.
Ajo kishte deklaruar se ndodhet në Serbi. Për këtë dëshmitare, gjykata konsideroi se nuk ka arsyetuar mungesën.
Gjykata do të marrë vendim nëse dëshmitarja do të shoqërohet nga organet e policisë ose do t’i dërgohet ftesa përsëri.
“Për këtë dëshmitare nuk ka arritur që ta arsyetojë mungesën. Gjykata ndërkohë do të presë që ta arsyetojë këtë mungesë në bazë të dokumentacionit apo dëshmive të besueshme, dhe pas saj do të merret vendim nëse e njëjta do të shoqërohet përmes organeve të policisë. Në këto kushte nuk do të mund të vazhdojmë seancën”, kishte deklaruar kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.
Ky proces gjyqësor ka zgjuar interes të madh publik dhe ndërkombëtar, duke qenë se ngjarja e Banjskës konsiderohet një nga incidentet më të rënda të sigurisë në Kosovën e pasluftës.
Përveç humbjes së jetës së një zyrtari policor, sulmi u pasua me tensione të larta politike dhe diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe me thirrje të shumta nga faktori ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e fajtorëve para drejtësisë./Telegrafi

 
                                    