Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali ka theksuar se Shqipëria do të mbrojë drejtësinë e luftës së drejtë të Kosovës, dhe të drejtën e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Nga Kuvendi i Shqipërisë, ajo kërkoi drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
“Marrëdhënia me Kosovën nuk është një raport i zakonshëm i politikës tonë të jashtme, ajo është një përgjegjësi historike dhe kombëtare. Shqipëria do të mbetet një zë i fortë për të drejtën e Kosovës, për integrimin e saj ndërkombëtar dhe dinjitetin e shtetit të saj. Sepse stabiliteti i rajonit kalon përmes një Kosove të fortë, të njohur dhe të integruar në strukturat euroatlantike”.
“Në këtë kuadër, proceset në Hagë kanë një rëndësi të veçantë. Shqipëria është dhe do mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, por drejtësia ndërkombëtare nuk është një koncept abstrakt , ajo matet me standardet e barazisë, me koherencën e saj dhe në aftësinë që të mos kthehet në instrument leximi të njëanshëm të historisë. Lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet, ishte një luftë për mbijetesë dhe liri. Ky është një fakt i dokumentuar ndërkombëtarisht”, tha Spiropali.

