Sekretari amerikan i Shtetit dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në detyrë, Marco Rubio, do të udhëtojë për në Turqi, ku një takim i mundshëm midis përfaqësuesve të Ukrainës dhe Rusisë është planifikuar për 15 maj.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte njoftuar më parë gjatë një fjalimi në një forum në Riad të martën, se Rubio do të merrte pjesë në negociatat e Stambollit, transmeton Telegrafi.
Shtëpia e Bardhë i konfirmoi NBC News, se Rubio do të marrë pjesë në bisedimet në Stamboll së bashku me të dërguarit presidencialë të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Keith Kellogg.
Zyrtari sqaroi gjithashtu se vetë Trump nuk do të udhëtojë për në Turqi këtë javë.
Ndryshe nga pala ruse akoma nuk janë konfirmuar emrat e zyrtarëve që do të marrin pjesë në këtë takim të planifikuar të mbahet në Stamboll të Turqisë.