Wednesday, April 30, 2025
HomeLajmeKosovaSBASHK: Qeveria në detyrë injoroi kërkesat e mësimdhënësve

SBASHK: Qeveria në detyrë injoroi kërkesat e mësimdhënësve

Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar ndaj Qeverisë në detyrë, duke e akuzuar për injorimin e kërkesave legjitime të mësimdhënësve gjatë katër viteve të fundit.

SBASHK thotë se kërkesat për Ligjin për Pagat, Skemat Pensionale dhe Kontratën Kolektive kanë mbetur pa përgjigje, ndërsa çmimet e produkteve esenciale, janë rritur deri në 20%.

Në reagimin e saj, sindikata thekson se kjo është një papërgjegjësi e dyfishtë, jo vetëm institucionale, por edhe sociale.

Sipas SBASHK, Qeveria në detyrë ka dështuar të përfshijë përfaqësuesit e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes dhe ka vazhduar të veprojë në mënyrë të njëanshme.

“Qeveria në detyrë, e cila për katër vite ka injoruar kërkesat legjitime të mësimdhënësve – përfshirë Kontratën Kolektive, Ligjin për Pagat dhe Skemat Pensionale – vazhdon të funksionojë në mënyrë të njëanshme, duke përjashtuar përfaqësuesit e punëtorëve nga vendimmarrja”, thuhet në reagim.

“Ndërkohë, çmimet e produkteve esenciale,përfshirë qumështin dhe bukën, janë rritur deri në 20%, pa asnjë masë mbështetëse nga qeveria”.

SBASHK kërkon formimin e institucioneve legjitime dhe rifillimin e dialogut sindikal dhe institucional me përfaqësuesit e mësimdhënësve.

Po ashtu, kërkohet marrja e masave urgjente për adresimin e krizës së çmimeve dhe përmbushjen e kërkesave për mbështetje sociale dhe financiare për punëtorët e arsimit.

“Po ashtu, bllokimi i institucioneve nga kryeministri i dorëhequr dhe refuzimi i bashkëpunimit politik për zgjidhje të krizës, dëshmojnë për mungesë serioziteti dhe përkushtimi ndaj interesit publik. Kërkesa e SBASHK-ut është e qartë: Të formohen menjëherë institucionet legjitime; Të rifillojë dialogu sindikal dhe institucional me përfaqësuesit e mësimdhënësve; Të adresohen me urgjencë kërkesat tona dhe të ndërmerren masa kundër rritjes së çmimeve”, thuhet tutje në reagim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments