Radio Televizioni i Kosovës ka publikuar sot një audioincizim që e inkriminonin Fatmir Shehollit, ish-pjesëtarin e UDB-së gjatë viteve 90′, i cili u arrestua të enjten në Prishtinë.
Në incizim dëgjohet Sheholli duke biseduar me dy persona – një grua dhe një burrë, të cilëve u tregon për lidhjet e tij me Listën Serbe dhe me terroristin Milan Radoiçiq.
Sipas raportimit të transmetuesit publik, audio-incizimi dëshmon për lidhjet e Shehollit me Listën Serbe.
Ai, në audio-inicizim thotë se “miku im i madh është Millan Radoiçiq”
“Kam përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga Lista Serbe, në gjithçka. Është mjaft e çuditshme në opinion, por nga ana tjetër…. unë po hapem këtu me ju që të dini me kënd….”, dëgjohet duke thënë Sheholli në bisedë me një burrë, i cili nuk është identifikuar.
“Bravo ju qoftë, bravo”, dëgjohet duke i thënë Shehollit, bashkëbiseduesi i tij anonim.
“Do të thotë që unë duhet të …. miku im i madh është Milan Radoiçiq, miku im i madh, edhe mik i tyre është. Kjo që po ndodh, që po flasin për të merre me rezervë, mos fol për të ashtu siç ke folur deri më tani…”, vazhdoi bisedën e tij Sheholli.
Fatmir Sheholli u arrestua të enjten në mëngjes në një operacion të urdhëruar nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Drejtori i një instituti të shoqërisë civile dyshohet për spiunazh.
Prokurori i rastit urdhëroi ndalimin e Shehollit për 48-orë të enjten.