Thursday, May 8, 2025
HomeBotaPicula: Rënia e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit simbol i...

Picula: Rënia e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit simbol i korrupsionit sistemik, Serbia po largohet nga vlerat evropiane

Rënia tragjike e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 qytetarë, është bërë simbol i korrupsionit sistemik, nepotizmit dhe mungesës së mekanizmave efektivë të kontrollit në Serbi. Kështu ka deklaruar eurodeputeti dhe raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, në raportin e tij të parë për këtë vend, raporton N1.

Në paraqitjen e raportit në Parlamentin Evropian, Picula theksoi se situata politike në Serbi është “jashtëzakonisht e ndërlikuar”, veçanërisht gjatë gjashtë muajve të fundit.

Ai kritikoi ashpër gjendjen e mediave, që sipas tij “nuk janë as të lira, as të qasshme për të gjithë”, ndërsa rregullatori për media (REM) nuk funksionon, dhe drejtësia shpërndahet në mënyrë selektive.

Picula përmendi edhe rastet e publikimit të të dhënave personale të protestuesve, përdorimin e mjeteve të paligjshme ndaj tyre dhe ndjekjen nga shërbimet sekrete ruse. Sipas tij, qytetarë të BE-së janë ndaluar dhe dëbuar nga Serbia për postime në rrjetet sociale, ndërkohë që autoritetet serbe akuzojnë shtetet anëtare të BE-së për organizim të “revolucioneve me ngjyra”.

Ai e kritikoi edhe refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për t’u përputhur me politikat e jashtme të BE-së dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Vizita e paralajmëruar në Moskë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të reja energjetike me Rusinë janë në kontrast të thellë me deklaratat për përkushtim ndaj integrimit evropian,” tha Picula.

Pavarësisht përparimeve në disa fusha, si konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, Serbia përballet me sfida serioze, sipas eurodeputetit: mungesa e dialogut të brendshëm politik, dobësia e sundimit të ligjit, moszbatimi i rekomandimeve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës për reformën zgjedhore, si dhe mungesa e pavarësisë së institucioneve kyçe, përfshirë REM-in.

Picula theksoi se suksesi ekonomik nuk duhet të jetë i vetmi kriter për vlerësimin e progresit. “BE ka investuar miliarda euro në Serbi, por perceptimi publik dhe komunikimi i udhëheqësve nuk e reflekton këtë realitet. Marrëveshjet e errëta, të përjashtuara nga ligji për prokurim publik, kanë ndikim jo vetëm ekonomik por edhe politik”, theksoi ai.

Ai shtoi se edhe Bashkimi Evropian mban një pjesë të përgjegjësisë për situatën – përmes dërgimit të mesazheve politike kontradiktore dhe investimeve jo të mjaftueshme në fushat kyçe si drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit.

Në fund, Picula u drejtua me një mesazh studentëve serbë që marshuan drejt Strasburgut dhe Brukselit. Ai vlerësoi përkushtimin e tyre dhe theksoi se qëndrimet dhe qëllimet e tyre janë të përfshira në raportin e tij.

“Qëndrimi i pushtetit ndaj këtyre të rinjve flet më shumë për të ardhmen e vendit sesa çdo program partiak. Pranimi në BE duhet të bazohet në merita të vërteta, reforma reale dhe përputhje të qartë me vlerat dhe pozicionet gjeopolitike të Bashkimit Evropian,” përfundoi ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments