Nëse kriza në Ukrainë përkeqësohet, është e mundur një përballje e drejtpërdrejtë ushtarake midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, paralajmëroi gjenerali Gregory Guillot, komandant i Komandës Veriore të SHBA-së (USNORTHCOM), në një deklaratë me shkrim drejtuar Senatit.
Guillot u shpreh para senatorëve amerikanë se “gjasa e një konflikti të SHBA-së me një nga katër kundërshtarët kryesorë – Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin – është në rritje”, shkruan newsweek.
Sipas gjeneralit, edhe pse këto vende përpiqen të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë të armatosur me SHBA-në, bindja e tyre në rritje për “rënien e Perëndimit” i nxit ato të sfidojnë Amerikën në arenën globale dhe rrit rrezikun e vlerësimeve të gabuara në situata krize.
Guillot përmend disa skenarë të mundshëm të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë që mund të çojnë në një konflikt të drejtpërdrejtë me SHBA-në, por thekson gjithashtu se situata në Lindjen e Mesme rrezikon ta tërheqë Amerikën në një konflikt ushtarak me Iranin dhe aleatët e tij.
Ai paralajmëron gjithashtu se tensionet rreth Tajvanit, në Detin Jugor të Kinës dhe në Gadishullin Korean paraqesin një rrezik të vazhdueshëm për shpërthimin e një konflikti me Kinën apo Korenë e Veriut.
Në fjalën e tij, gjenerali veçoi për theksim thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut, duke përmendur pjesëmarrjen e trupave koreano-veriore në luftime në rajonin rus të Kurskut, si edhe ushtrimet e përbashkëta ushtarake ruso-kineze në Arktik.
Pavarësisht tensioneve në rritje, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë po tregojnë disa shenja normalizimi.
Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kontaktet diplomatike mes Uashingtonit dhe Moskës janë intensifikuar.
Negociatorë nga të dyja palët po vizitojnë si Rusinë, ashtu edhe SHBA-në, dhe takimet po zhvillohen edhe në vende të treta, si Arabia Saudite. Gjatë këtyre bisedimeve, palët janë pajtuar për rivendosjen e funksionimit të ambasadave.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve po kthehen në rrugën e normalizimit, duke theksuar se Moska është e përkushtuar ndaj një dialogu të barabartë dhe një balanci interesash.
Sipas burimeve ruse, në këto bisedime është përmendur edhe mundësia e bashkëpunimit në Arktik.
Kreu i Fondit Rus për Investime të Drejtpërdrejta, Kiril Dmitriev, ka deklaruar se të dyja palët po shqyrtojnë projekte të përbashkëta, veçanërisht në fushën e kërkimit të burimeve energjetike dhe natyrore.
Sipas raportimit të mediave amerikane, si Bloomberg, Uashingtoni e sheh këtë bashkëpunim si një mjet të mundshëm për të ndarë Rusinë nga Kina, me fokus në interesat ekonomike në rajonin arktik.