Ministria e Punëve të Brendshme nga sot ka vënë në dispozicion linjën telefonike pa pagesë – 0800, në kuadër të periudhës informuese rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete
Numri i kësaj linje është: 0800 46 757. Duke telefonuar në këtë numër, pa kosto të shërbimit telefonik, palët e interesuara mund të informohen lidhur me përcaktimet e Ligjit për të huajt dhe Ligjit për Automjete.
“Kjo linjë pa pagesë do të ju ofrojë informacionet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze”, thuhet në njoftim.
MPB ka thënë se përmes kësaj linje do të ofrohen informacionet e nevojshme me qëllim të lehtësimit të qëndrimit të vizitorëve dhe të huajve në Republikën e Kosovës, dhe për qarkullimin e automjeteve të regjistruara në vendin e huaj.
“Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi”, theksohet në njoftim.

