Friday, September 26, 2025
HomeLajmeKosova“Marrin vendime absurde”, “hije politike e opozitës” – krejt çka u tha...

“Marrin vendime absurde”, “hije politike e opozitës” – krejt çka u tha nga sulmet ndaj Kushtetueses te reagimet e perëndimorëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është bërë objekt i sulmeve politike pas vendimeve të fundit që kufizuan veprimet e deputetëve dhe bllokuan procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ish-kryeparlamentarit Glauk Konjufca, të cilët e akuzuan Kushtetuesen për “funksionim si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”, kanë nxitur reagime të ashpra brenda vendit dhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Gjykata ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së saj si themel i shtetit të së drejtës dhe ka kërkuar respektim të vendimeve dhe integritetit të gjyqtarëve.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti kritikoi Kushtetuesen për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit.

Kreu i VV-së tha se Gjykata Kushtetuese “pa asnjë arsye” ka vendosur pezullimin, duke e krahasuar madje masën me një vendim imagjinar mjekësor për gjyqtarët.

Sipas tij, vendimi është “absurd dhe i dëmshëm” dhe përbën vonesë të qëllimshme në proceset shtetërore.

“Gjykata Kushtetutese po funksionon si një hije politike opozite e Vetëvendosjes. Mëqe tash u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe. Pa arsysheshëm, besoj unë dhe kërkoj që 120 deputetë të Republikës të vegjetojnë deri më 30 shtator. Kjo është ngjajshëm sikur ministri ynë i Shëndëtësisë, Arben Vitia, të lëshoj një vendim mjeksor të ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmën dilemë që e kam është nëse kjo masë është më shumë absurde apo e dëmshme.

Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës. Është shumë absurd dhe shumë e dëmshme. Gati nga katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit deri te zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. 2/3 e kohës kemi qenë duke pritur vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilës i adresohej opozita”, – deklaroi Kurti.

Në të njëjtën mbledhje, Glauk Konjufca paralajmëroi për një vendim që sipas tij do të kishte pasoja të rënda për sovranitetin e vendit.

“Gjykata nuk ka çka të interpretojë përtej Kushtetutës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë punën, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por skenari i tretë, që as nuk mund ta imagjinoj, do të ishte tradhti kombëtare – një skenar që do t’i jepte Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës.”, tha Konjufca.

Po ashtu, edhe shefja e shtetit, Vjosa Osmani tha se “vendimet zbatohen, edhe pse mund të duken absurde. Pavarësisht sa nuk na pëlqejnë, i zbatojmë në plotni. Kushtetuta nuk ndalon komentimin apo kritikat profesionale ndaj vendimeve të gjykatës. Është normale dhe brenda normave demokratike.”

Reagim i Gjykatës Kushtetuese

Në një reagim zyrtar, Gjykata shprehi shqetësimin e saj lidhur me përpjekjet për të ushtruar presion ndaj punës së saj, duke theksuar se pavarësia e saj nuk është një privilegj i gjyqtarëve, por një shtyllë themelore e shtetit të së drejtës.

“Vetëm përmes respektimit të këtij parimi mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments