As përpjekja e 21-të për formimin e Kuvendit të Kosovës nuk solli rezultat. Seanca që u mbajt të premten zgjati vetëm 2 minuta e disa sekonda, pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë nuk u miratua as kësaj radhe.
Pas dështimit, partitë dolën me akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe thirrje për reflektim.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se vendi po mbahet peng nga “kryeneçësia e Kurtit” dhe se qytetarët nuk kanë votuar për bllokadë.
“Kosova dhe institucionet e saj vazhdojnë të mbesin peng i kryeneçësisë së Kryeministrit në detyrë, deputetit Albin Kurti. Nga kjo konferencë këtu i bëjmë thirrje që të reflektojë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja të cilat do duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë. I bëjmë apel në mënyrë që të ecim tutje”, tha Çitaku.
Arben Gashi nga LDK vlerësoi se Vetëvendosje pretendon se ka numrat për qeveri, por jo edhe për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
“Suksesin ia mundëson partia e vet e cila po thotë që i ka numrat për qeveri, por s’i ka për Albulenën. Mendoj se është degraduese dhe e panevojshme si gjuhë e tillë”, deklaroi ai, duke shtuar se duhet të formohen institucionet ose të shkohet në zgjedhje.
Nga AAK, Daut Haradinaj tha se situata aktuale është e papranueshme dhe e dëmshme për vendin, duke kërkuar reflektim nga deputetët e VV-së dhe nga Kurti.
“Për 21 herë radhazi, Vetëvendosje po dështon në procesin e konstituimit të institucioneve. Kjo gjendje është e papranueshme dhe shumë e dëmshme për vendin. Pas çdo seance të dështuar, po bëhet më e qartë se deputetët e VV-së janë tashmë të kapur peng nga Albin Kurti, i cili për vete i paska siguruar numrat”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka kërkuar nga Kurti që nëse nuk ka besim në kandidaturën e Albulena Haxhiut, ta ndryshojë atë.
“Albin, mos e lë Albulenën në baltë, jepja votat tua edhe asaj. Nëse ti nuk ke besim në të, atëherë ndërroje kandidatin dhe gjeje një më të besueshëm dhe jepja votat. Në këtë do të kesh reflektim edhe nga deputetët opozitarë”, përfundoi Haradinaj.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Ndërkohë, seanca pritet të vazhdojë nesër, më 27 maj, në ora 11:00.