Aplikacioni i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga OpenAI, ChatGPT, është rritur ndjeshëm në popullaritet, duke u renditur në mesin e pesë faqeve më të vizituara në botë gjatë muajit prill 2025.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma e analizave SimilarWeb, ChatGPT ka kaluar në vendin e pestë të listës globale, me një kohë mesatare vizite prej 7 minutash e 15 sekondash për përdorues. Ky rezultat e afron me gjigantët e teknologjisë si Google, YouTube, Facebook dhe Instagram, të cilët vazhdojnë të kryesojnë listën.
Në vendin e parë qëndron Google.com me një kohë mesatare vizite prej 10 minuta e 31 sekondash, ndjekur nga YouTube.com me 20 minuta e 18 sekonda. Facebook dhe Instagram, që janë pjesë e platformave të Meta-s, zënë vendin e tretë dhe të katërt përkatësisht, me nga 10 minuta e 42 sekonda dhe 8 minuta e 37 sekonda.
Rritja e ChatGPT-së u vërejt edhe në raportin vjetor të “We Are Social” për vitin 2024, ku aplikacioni i AI-së kishte qenë në vendin e 9-të. Brenda një viti, ai arriti të ngjitej katër pozita më lart, duke sfiduar platformat më të mëdha në botë.
ChatGPT dominon tregun global të inteligjencës artificiale
Sipas platformës AITools, e cila mbledh të dhëna për përdorimin e inteligjencave artificiale në mbarë botën, ChatGPT është lider absolut në këtë fushë me mbi 4.7 miliardë vizita mujore. Ai lë shumë pas konkurrentët, duke përfshirë Canva (887 milionë vizitorë) dhe Google Translate (595 milionë).
Në mesin e aplikacioneve të tjera të AI-së që renditen pas tij janë:
DeepSeek (Kinë) – një konkurrent në rritje që po ndikon në rënien e përdoruesve të platformave amerikane,
Character.AI – 226 milionë vizita,
JanitorAI – 200 milionë,
Perplexity – 133 milionë,
Gemini (nga Google) – 118 milionë,
Remove.bg – 112 milionë,
Claude – 105 milionë.
Pavarësisht që Gemini u promovua si një konkurrent i fortë i ChatGPT-së, ai renditet vetëm në vendin e 8-të dhe ka humbur më shumë se 9 për qind të përdoruesve të tij në janar 2025, periudhë që përkon me rritjen e ndikimit të DeepSeek.
Këto të dhëna konfirmojnë ndikimin në rritje të ChatGPT jo vetëm si mjet produktiv i AI-së, por edhe si një nga platformat më të përdorura globalisht në të gjitha kategoritë.