Thursday, May 29, 2025
HomeLajmeKosovaBllokimi i rrugëve me kamionë, paralajmërohen protesta të tjera nëse s’ka reflektim

Bllokimi i rrugëve me kamionë, paralajmërohen protesta të tjera nëse s’ka reflektim

Ka përfunduar në orë 12:00 protesta e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili parasheh daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë

Protestuesit, të cilët që nga ora 10:00 kishin bllokuar hyrjet kryesore të Prishtinës me kamionë dhe mjete të rënda transportuese, tashmë i kanë larguar ato, duke liruar rrugët dhe duke mundësuar normalizimin e qarkullimit.

Protesta u organizua nga përfaqësues të bizneseve që e konsiderojnë këtë vendim të padrejtë dhe të dëmshëm për aktivitetin e tyre ekonomik. Sipas tyre, dalja në tregun e lirë të energjisë do të sjellë rritje të kostove dhe vështirësi të mëdha financiare për kompanitë.

Pavarësisht paralajmërimeve që rrugët do të bllokoheshin tërësisht për dy orë, organizatorët kanë lejuar që një trase e rrugës të jetë e hapur për qarkullim, si shkak i ushtrimeve Defender 2025 që po zhvillohen në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, pas përfundimit të protestës deklaroi se janë të kënaqur me ecurinë dhe pjesëmarrjen. Ai theksoi se kërkesa e tyre mbetet që institucionet të ofrojnë një periudhë tranzicioni për bizneset, të ngjashme me atë që ka ndodhur në vendet e rajonit dhe më gjerë. Në të kundërtën, ai paralajmëroi përshkallëzim të veprimeve protestuese.

“Arritëm në fund të protestës, jemi të kënaqur me efektin e protestës, pjesëmarrjen e protestës. Kërkesa jonë mbetet që institucionet e vendit të reflektojnë t’ju mundësojnë biznesit një fazë të tranzicionit, as më shumë as më pak se sa e kanë pasur bizneset në vendet e rajonit dhe më gjerë. Kërkojmë që të reflektojnë, nëse nuk do të ketë reflektim, ne do të vazhdojmë, këshilli protestues do të takojë dhe do të shohim hapat e tjerë”.

“Qoftë se nuk do të ketë reflektim, protestat do të shkojnë duke u radikalizuar. Arsyeja ka qenë për shkak të ushtrimeve Defender që janë duke u zhvilluar në Kosovë, kjo është vetëm dita e parë e protestës, nuk nënkupton kjo që në të ardhmen nuk do të bllokohet”, tha Rafuna, raporton Ekonomia Online.

Previous article
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments