Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se partia e saj nuk do ta mbështesë projektbuxhetin e propozuar nga qeveria e Albin Kurtit, duke theksuar se vendi ndodhet në një ngërç politik që do të përfundojë me zgjedhje të reja parlamentare.
“Ne nuk do ta votojmë një buxhet të tillë, vendi do të shkojë në zgjedhje, sepse vendi nuk ka zgjidhje. Ky vendim nuk kalon, sepse nuk kalon në Kuvendin e Kosovës”,
ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka kujtuar se Albin Kurti nuk ka pasur 61 vota për t’u bërë kryeministër më 26 tetor, duke theksuar se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet për të miratuar buxhetin.
“Sepse nuk kemi pasur mundësi t’i bëjmë 61 vota, po shkojmë në zgjedhje edhe i bëjmë. Ti bëjmë numrat në fletore është më lehtë. Nuk kemi dashur të bëjmë një qeveri me Listën Serbe, për shkak se është qeveri tepër jetëshkurtër e kemi thënë që nga ditët e para. LDK në kohën e pandemisë për hir të shtetit e ka bërë një qeveri me 61 numra dhe e dini jetëgjatësinë e asaj qeverie, dhe mandej e dini koston elektorale të cilën e kemi paguar, kjo është e kuptueshme”, tha ajo ne Dukagjin.
Bajrami ka shtuar gjithashtu se LDK nuk ka dashur të bashkëpunojë me Listën Serbe, duke e cilësuar një qeveri të tillë si “të paqëndrueshme dhe jetëshkurtër”.
Duke folur për çështjen e pagave të punonjësve të RTK-së, ajo ka fajësuar drejtpërdrejt kryeministrin Kurti:
“Kolegët tanë të RTK-së nuk janë pa paga sepse nuk ka ligj të buxhetit, pse janë pa paga për shkak se Kurti e ka uzurpuar zyrën e qeverisë së Kosovës. Qysh i morën pagat kolegët tuaj të RTK i morën pagat para tre muajve.”

