Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar të premten marrëveshjen për pranim fajësie ndaj Igor Popoviqit, zëvendësdrejtor i Zyrës serbe për Kosovën.
Popoviq, i arrestuar më 19 korrik të këtij viti në pikë-kalimin kufitar në Bërnjak, akuzohet nga Prokuroria Speciale për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit për një fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me marrëveshjen e aprovuar, propozohet dënimi prej 6 muaj burgim, i cili zëvendësohet me 3 mijë euro gjobë, si dhe dënimi plotësues – dëbim nga territori i Republikës së Kosovës për një periudhë prej 2 vitesh.
Zëvendësdrejtori i zyrës së propagandës serbe për Kosovën, e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e pranoi para disa ditësh fajësinë për veprën penale me të cilën është ngarkuar nga Prokuroria.
Vendimi është caktuar për në orën 14:00.
Prokuroria Speciale, në një deklaratë për media të premten pas aprovimit të marrëveshjes në gjykatë, tha se e mirëpret vendimin.
Specialja tha se ky vendim riafirmon përkushtimin e saj për ndjekjen dhe hetimin e këtyre veprave penale, të cilat “cenojnë rëndë vlerat demokratike dhe bashkëjetesën ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës”.

