Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, pësoi një goditje në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash. Ajo fitoi në gjithsej katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh dhe humbi në Prishtinë, ku fituese doli Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këto zgjedhje ishin parë si një sprovë për lëvizjen Vetëvendosje e cila më 14 shkurt të këtij viti në zgjedhjet parlamentare, fitoi mbi 50 për qind të votave.
Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, kryemnistri i Kosovës, përgëzoi fituesit dhe u zotua për bashkëpunim.
“Rezultati jo i kënaqshëm për neve vjen si pasojë e disa difekteve të brendshme që duhet t’i analizojmë më gjatë në vijim si dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër Vetëvendosjes”, tha të hënën kryeministri Kurti.
Por, analistët thonë se arsyet e rënies së Vetëvendosjes janë të tjera.
“Mendoj që në këto zgjedhje është reflektuar pak ndoshta edhe qasja e lëvizjes Vetëvendosje në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Kjo qasja më konfrontuese dhe jo bashkëpunuese me aleatë mendoj se pjesërisht është reflektuar edhe në këto zgjedhje dhe këtu mendoj që ka hapësirë për një reflektim”, tha analisti politik, Agon Maliqi, në një bisedë me Zërin e Amerikës.
“Duket që Vetëvendosja është nisur nga parimi ose qasja e saj që nga niveli qendror të menaxhohen edhe çështjet komunale do të jap rezultate, por kjo del se ka qenë e gabuar, për shkak që në nivel lokal vlerësohet programi, vlerësohet kandidati dhe pak vlerësohet ajo se çfarë thotë një lider i një partie nga qendra këtu në Prishtinë”, tha për Zërin e Amerikës Bekim Salihu nga Instituti për Studime të Avancuara GAP.
Sipas rezultateve të të dyja raundeve të zgjedhjeve, Lista Serbe ka fituar dhjetë komuna, e pasuar nga Partia Demokratike me 9, Lidhja Demokratike shtatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe lëvizja Vetëvendosje 4 komuna.
Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, partitë opozitare shënuan rritje përballë Vetëvendosjes.
“Pjesërisht arroganca e qeverisë rreth disa temave, pjesërisht cilësia e kandidatëve. Por njëkohësisht kjo vjen edhe si shpërblim edhe për partitë opozitare, pra nuk është vetëm votë ndëshkuese por edhe pozitive si shpërblim për ndryshimet që kanë ndodhur ndërkohë në PDK dhe LDK, të cilat e kanë rikthyer elektoratin e vet në këto zgjedhje”, thotë zoti Maliqi.
“Kishte votë ndëshkuese dhe kishte votë testuese, për shkak se në disa komuna nuk ka pasur keq qeverisje, skandale apo implikim në korrupsion siç ishte ta zëmë rasti i Hanit të Elezit, por qytetarët si duket duan ta testojnë një qeveri tjetër”, thotë zoti Salihu.
Ai thotë se zhvillimet e fundit duhet t’u shërbejnë partive politike për përgatitje më të mira për zgjedhjet komunale të vitit 2025. Ndërsa analisti Agon Maliqi thotë se rezultatet e këtyre zgjedhjeve e bëjnë më të brishtë legjitimitetin politik të qeverisë, prandaj partia në pushtet duhet të rrisë përpjekjet për të ruajtur besimin e votuesve.
Analistët, vëzhguesit por edhe përfaqësuesit politik i vlerësuan zgjedhjet si shumë mirë të organizuara dhe pa ndonjë parregullsi që do të ndikonte në besueshmërinë e procesit.