Komuna e Prizrenit ka realizuar dy kontrata për furnizim me pelet, njërën për shkollat dhe tjetrën për administratës e komunës dhe QKMF-në.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka me datë 8 tetor 2021 ka nënshkruar kontratën “Furnizim me lëndë djegëse pelet për ngrohje për shkollat e Komunës së Prizrenit”. Kontrata ka qenë e vlerës së madhe, me çmim prej 602 mijë e 950 euro për 3100 tonë.
Të njëjtën ditë është nënshkruar kontrata edhe për “Furnizim me pelet për Administratën Komunale dhe QKMF”. Kjo kontratë, meqë ka qenë e vlerës së mesme, nuk është nënshkruar nga kryetari Haskuka, por vetëm nga menaxheri i prokurimit, Isa Osmankaj dhe nga pronari i kompanisë NPT “Burimi”, Fazli H. Beqiraj. Kontrata që është një vjeçare, peshon 67 mijë e 640 euro dhe ka të bëjë për blerjen e 380 tonë pelet.
Të dy kontratat janë nënshkruar me kompaninë “Burimi”. Por, ajo për blerjen e 3100 toneve për furnizimin e shkollave, del të jetë më e shtrenjtë se sa kjo e vlerës së mesme prej 380 toneve për furnizimin e administratës dhe QKMF, ndonëse të dyja janë nënshkruar në të njëjtën ditë. Sipas përllogaritjes, për një ton pelet komuna do të paguajë 194.5 euro, për kontratën e shkollave. Për kontratën e administratës një tonë do të kushtojë 170 euro. Dallimi në mes kontratave është 24.5 euro për një ton ose kontrata e vlerës së madhe në total del të jetë më shtrenjtët për 76 mijë euro.
Ligji i prokurimit ia ka lejuar komunës që të procedojë vetëm me një tender, ku do të mund ta ndante në lot (pjesë), psh: furnizim me pelet për shkolla (lot 1), furnizim me pelet për administratën komunale, QKMF (lot 2), apo më një tjetër tender më sasi të madhe për “furnizim me pelet për nevojat e institucioneve komunale”.
Në dy kontratat ka pasur oferta më të lira, por komuna i ka eliminuar kompanitë më të lira me arsyetimin se kanë qenë të pa përgjegjshme, kundruall kërkesave të vendosura në ofertë.
Pronari i kompanisë, Fazli Beqiri dhe menaxheri i Prokurimit të Komunës, Isa Osmankaj duket të jenë miq para shumë kohe. Kjo pasi Osmankaj ka shkruar miqësisht para disa viteve në rrjetin social facebuk të Beqirajt, duke komentuar në fotografit e tij. “Ka nis me te hi vetja nqef, po boll burr i mire je valla veç kush ta ka inati”, ka shkru Osmankaj në fotogarfinë e Beqirajt.
Pronari i NPT “Burimi”, Fazli H. Beqiraj e ka pranuar se njëra nga ofertat e tij, që më pas është vulosur në kontratë, është me e lartë, por nuk ka dhënë arsyje pse në ofertën e para disa muajve ka vendosur çmime të ndryshme për produktin e njëjtë.
“Po se tash ka hipur çmimi i peletit shumë. Njëra kontratë është një vjeçare, kjo më e shtrenjta është për tri vite. Po punojmë me humbje se ka hipur peleti në 210 euro toni që nja një jave. Tash jena në katastrofë, në kolaps, çka është më e keqja as nuk ka pelet. Jemi tu shku në kolaps. Njëherë patë furnizime dhe ofertova më lirë, thash të punojmë sa mos me nejtë. Komunës nuk i intereson, pasi e ka nënshkruar kontratën dhe e blenë me çmimin e saj. Do ta blejmë peletin ku të ka e do ua dërgojmë”, ka thënë Beqiraj në një përgjigje për lajmi.net.
Ndonëse, menaxheri i prokurimit shihet që ka komentuar në dy fotografi të tij në vitin 2017, Beqiraj thotë se nuk e ka asgjë, dhe se Komuna e Prizrenit nuk është e vetmja ku merr punë.
“Nuk e kam asgjë. Unë bëj furnizim në Podujevë, në Ferizaj, në Gjakovë, Suharekë, Mushtishtë. Asnjërin zyrtarët prej këtyre nuk i kam asgjë, thjeshtë e ngarkoj ofertën në E-prokurim”, ka thënë pronari i kompanisë “Burmi”.
Para pak ditëve, kryetari Mytaher Haskuka ka nënshkruar një tjetër kontratë me kompaninë “Burmi”, që ka të bëjë me “Furnizim me lëndë djegëse dru për ngrohje për shkollat e Prizrenit”. Kontrata është tri vjeçare dhe peshon 349 mijë e 200 euro. /Lajmi.net/