Pavarësisht se ishte paraparë të fillonte në orën 10:00, vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila kishte mbetur në gjysmë të premten, ende nuk ka nisur.
Njëra prej pikave që pritet të trajtohet në këtë seancë është edhe shqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur si Ligji për Specialen.
Ndërkohë, pak minuta para vazhdimit të seancës, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, së bashku me Bedri Hamzën, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit, Çitaku ka deklaruar se palët nuk kanë dallime sa i përket përmbajtjes së ligjit, por se mospajtimet kanë të bëjnë me procedurat.
“Nuk kemi asnjë dallim në përmbajtje. Dallimet i kemi ende në procedurë, diskutimet vazhdojnë”, ka thënë Çitaku.
Ndërkaq, për sot është thirrur edhe një seancë e re e Kuvendit të Kosovës, e cila përmban gjithsej 12 pika të rendit të ditës.

