Besa Limani ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve nga prindërit shqiptarë, me synimin që mësimi plotësues i gjuhës shqipe të institucionalizohet në shkollat ku vijojnë mësimin fëmijët shqiptarë.
Një iniciativë për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në shkollat publike ka nisur në Berlin, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e gjuhës amtare te fëmijët e komunitetit shqiptar në Gjermani
Iniciativa është ndërmarrë nga Besa Limani, e diplomuar në Biologji Aplikative në Universitetin e Prishtinës, e cila prej vitesh jeton në Berlin me familjen e saj.
Si nënë dhe pjesë e komunitetit shqiptar në kryeqytetin gjerman, Limani ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të prindërve shqiptarë në distriktin ku jeton. Përmes kësaj nisme synon që gjuha shqipe të përfshihet në mënyrë të institucionalizuar si lëndë e mësimit plotësues në shkollat publike ku mësojnë fëmijët shqiptarë.
Ajo ka shprehur shqetësimin për numrin e prindërve që nuk i regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të familjeve për ruajtjen e gjuhës amtare, njofton tutje albinfo.ch.
Në këtë nismë u është bërë thirrje prindërve shqiptarë në Berlin që të mbështesin iniciativën dhe t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të shqipes.
Ruajtja e gjuhës dhe përcjellja e saj te brezat e rinj mbetet një nga sfidat e rëndësishme për komunitetin shqiptar në diasporë.
Nisma synon që përmes angazhimit të prindërve, gjuha shqipe të ketë një vend më të qëndrueshëm në sistemin e arsimit publik në Berlin./Albinfo

