Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Sipas tij, fokus i veçantë i diskutimit ishte bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, si dhe ai ekonomik e tregtar.
“Folëm për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve tona dhe për forcimin e mëtejmë të tyre, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sikurse edhe për atë ekonomik e tregtar”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka shprehur gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes daneze në procesin e integrimeve euroatlantike.
“Shpreha mirënjohjen për qëndrimin e vazhdueshëm mbështetës të Danimarkës ndaj Kosovës dhe theksova rëndësinë e avancimit të Republikës sonë në procesin e integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar Kurti.
Takimi është zhvilluar në kuadër të pjesëmarrjes së kryeministrit Kurti në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

