Kosova renditet në vendin e 82-të në botë në rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2025, duke mbetur ndër vendet me performancën më të ulët në vlerësimin e njohurive të nxënësve 15-vjeçarë.
Sipas renditjes së publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e OECD-së, Kosova ka grumbulluar mesatarisht 349 pikë në matematikë, lexim dhe shkencë.
Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova renditet pas Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Diferenca me Shqipërinë është 76.3 pikë, ndërsa me Maqedoninë e Veriut 22.7 pikë.
Të dhënat e OECD-së tregojnë se nxënësit në Kosovë kanë marrë 350 pikë në matematikë, 340 në lexim dhe 357 në shkencë. Të tria rezultatet janë dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së.
Shqetësues është edhe fakti se vetëm 15 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur nivelin minimal të aftësive në matematikë, 16 për qind në lexim dhe 21 për qind në shkencë. Këto shifra tregojnë vështirësitë e mëdha të një pjese të konsiderueshme të nxënësve për të zbatuar njohuritë në situata praktike.
Krahasuar me testimin e vitit 2022, rezultatet e Kosovës kanë rënë në matematikë, ndërsa në lexim dhe shkencë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara. Në raport me vitin 2018, performanca ka shënuar rënie në të tria fushat.
Në testimin e vitit 2025, në Kosovë morën pjesë 6 mijë e 632 nxënës nga 213 shkolla, të cilët përfaqësonin rreth 19 mijë e 900 të rinj 15-vjeçarë.

