Pas konsolidimit të institucioneve të reja në Kosovë, mbetet të shihet nëse dialogu me Serbinë do të hyjë në një fazë të re apo do të vazhdojë të përballet me pengesat e njëjta. Ndërkohë, në Serbi, Aleksandar Vuçiq ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit dhe synon të rikthehet në krye të Qeverisë, duke garuar për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Profesori dhe bashkëpunëtori i lartë në Institutin për Politikë të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, vlerëson se përparimi në këtë proces varet nga ndryshimi i qasjes së Bashkimit Evropian, duke theksuar se nuk mund të ketë rezultate nëse kërkesat vazhdojnë të drejtohen vetëm ndaj Kosovës.
“Nëse Brukseli vazhdon t’i japë përparësi Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa kërkuar asgjë në këmbim nga Serbia për Kosovën, dialogu do të vazhdojë të mos çojë askund”- thotë Serwer në një intervistë për KALLXO.com.
Serwer thotë se dinamika e dialogut do të varet nga mënyra se si BE-ja do t’i trajtojë zotimet e të dyja palëve. Sipas tij, nëse Brukseli vazhdon t’i kërkojë gjithçka Kosovës dhe asgjë Serbisë, takimet e nivelit të lartë nuk do të prodhojnë rezultate konkrete.
Profesori vlerëson se Asociacioni mund të jetë i pranueshëm për Kosovën vetëm pasi të eliminohen kërcënimet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, mundësisht përmes njohjes diplomatike nga Serbia.
Ai konsideron se Asociacioni duhet të mos jetë prioritet derisa Serbia të jetë e gatshme ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.
“Po, besoj se Bashkimi Evropian nuk duhet të këmbëngulë në Asociacionin, por duhet të punojë në çështje të tjera derisa Serbia të jetë e gatshme ta njohë Kosovën. Marrja e nënshkrimit të Serbisë në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mund të jetë pikënisja e duhur”- tha ai.
Sa u përket hapave të ardhshëm, Serwer propozon që fokusi të jetë te zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve të vitit 2023 dhe aneksin e saj të zbatimit. Si pikënisje për fazën e ardhshme të dialogut, ai sugjeron sigurimin e nënshkrimit të Serbisë në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

