Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka folur për tensionet mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve, një ditë para se Kuvendi të ndërmerrte veprimin për miratimin e Ligjit për Specialen.
Elezi ka deklaruar se, bazuar në udhëzimet dhe informacionet që kishin marrë, ekzistonte frika për një eskalim serioz të situatës. Sipas tij, kishte dyshime se persona të caktuar brenda protestuesve mund të posedonin armë, ndërsa siç tha ai, edhe Policia kishte pasur informacione lidhur me këtë çështje,
“Pritej një eskalim serioz i situatës dhe dyshohej se persona të caktuar brenda protestuesve mund të posedonin armë. Ka pasur edhe informacione të policisë për këtë çështje”, tha Elezi në Klan Kosova.
Ai ka treguar se situatën e kishte përcjellë nga shtëpia dhe se marrëveshjen për shmangien e përplasjes e kishte përjetuar si një nga momentet më të gëzueshme pas një kohe të gjatë.
“Njëri nga gëzimet që për një kohë të gjatë nuk e kam përjetuar ka qenë marrëveshja për me e shmang përplasjen”, është shprehur ai.
Më tej, Elezi ka theksuar se, sipas informacioneve që kishin, një pjesë e policëve të Kosovës mund të refuzonin zbatimin e urdhrave që do të çonin në përplasje me protestuesit.
“Kemi pasur informacione që shumë policë të Kosovës kanë pasur me e vendosë uniformën në duart e eprorëve të vetë për mos me e zbatu urdhrin për me pasë një përplasje”, ka deklaruar Elezi.

