Friday, October 9, 2026
HomeLajmeKosovaGjuha e Vuçiqit ndaj Shaip Kamberit dhe shqiptarëve, Mustafa publikon videon: Kjo...

Gjuha e Vuçiqit ndaj Shaip Kamberit dhe shqiptarëve, Mustafa publikon videon: Kjo ushqen urrejtjen dhe krijon terren për frikësim

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ragmi Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në televizionin Informer, lidhur me deputetin shqiptar Shaip Kamberi dhe bashkimin politik të shqiptarëve.

Mustafa ka thënë se Vuçiqi e paraqet bashkimin politik të shqiptarëve si veprim të “armiqve të Serbisë”, ndërsa Kamberin e ka cilësuar si “më të keqin dhe më të ligun ndër ta”.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Dëgjojeni gjuhën e Aleksandër Vučićit në TV Informer ndaj Shaip Kamberit dhe shqiptarëve.

Bashkimin politik të shqiptarëve e paraqet si vepër të “armiqve të Serbisë”, siç e përmbledh Bujanovačke, ndërsa Shaip Kamberin e quan “më të keqin dhe më të ligun ndër ta”.

Ai pretendon se bashkimi synon ngritjen e çështjes së Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë. Në këtë kontekst sulmon edhe kongresmenin amerikan Joe Wilson, duke e etiketuar si “të paguar” të shqiptarëve. Angazhimin me përfaqësues amerikanë, evropianë dhe diplomatë e paraqet si veprim kundër Serbisë. Dhe e përmbyll: “Nuk do t’ua lejoj.”

Kjo gjuhë ushqen urrejtjen dhe krijon terren për frikësim. Përfaqësimin demokratik dhe avokimin ndërkombëtar për të drejtat tona përpiqet t’i trajtojë si kërcënim.

Po, çështjen e Luginës së Preshevës do ta ngremë në Uashington, në Bruksel dhe kudo ku mbrohen të drejtat e njeriut. Do të kërkojmë mbështetje për barazi, përfaqësim dhe zbatimin e zotimeve të shtetit ndaj shqiptarëve. Bashkëpunimi me partnerët amerikanë dhe evropianë është pjesë e këtij angazhimi demokratik.

Z. Vučić, shqiptarët kanë të drejtë të bashkohen, të përfaqësohen dhe të flasin për padrejtësitë që përjetojnë. Për këtë nuk u duhet leja jote.

Qëndroj përkrah Shaip Kamberit dhe “Koalicionit Shqiptar” si dhe të drejtës sonë për përfaqësim publik të lirë e dinjitoz. Barazia nuk është armiqësi. /Telegrafi/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments