Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar tri shitje të mundshme të armëve për Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin, me vlerë të përgjithshme prej rreth 2.27 miliardë dollarësh.
Marrëveshja më e madhe parashikon që Emiratet e Bashkuara Arabe të mund të blejnë deri në 10 mijë njësi udhëzuese të sistemit “Advanced Precision Kill Weapon System II” (APKWS II), në vlerë të parashikuar prej 1.041 miliardë dollarësh.
Paketa përfshin konfigurime për përdorim ajër-ajër dhe ajër-tokë, si dhe koka luftarake, motorë raketash, ndezës, pajisje trajnimi dhe mbështetje teknike.
Egjipti, ndërkaq, synon blerjen e deri në 2,020 raketave FGM-148F Javelin dhe 200 njësive të lehta të komandimit dhe lëshimit. Vlera e marrëveshjes së propozuar arrin në 832 milionë dollarë.
Në paketë parashihen gjithashtu pajisje për trajnim, pjesë këmbimi, integrim i sistemeve dhe forma të tjera të mbështetjes.
Kuvajti ka kërkuar shërbime për riparimin dhe rikthimin në përdorim të raketave Patriot, në një marrëveshje me vlerë rreth 400 milionë dollarë. Ajo përfshin edhe pjesë këmbimi, pajisje mbështetëse, trajnime dhe asistencë teknike.
Tri marrëveshjet synojnë forcimin e kapaciteteve për luftime tokësore, goditje precize dhe mbrojtje ajrore e kundër raketave.
Sistemet Javelin do t’i shtonin Egjiptit kapacitetet kundër mjeteve të blinduara, ndërsa APKWS II do t’u siguronte Emirateve një sistem relativisht të lehtë për goditje precize nga ajri.
Sistemi Patriot, ndërkaq, përdoret për mbrojtjen e territorit dhe infrastrukturës kritike nga kërcënimet ajrore dhe raketore.
Kërkesa për sistemet Patriot është rritur edhe mes aleatëve të SHBA-së, teksa shtetet synojnë të rrisin rezervat dhe kapacitetet e tyre të mbrojtjes ajrore.

