Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Beograd, në shenjë proteste pas tubimit të dhjetëra mijëra njerëzve për nder të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Në një deklaratë për CNN, Kos tha se anulimi i vizitës ishte “i vetmi vendim i mundshëm”, duke e cilësuar të papranueshme glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe nderimet ushtarake për një person përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë dhe për disa nga krimet më të rënda të luftës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat thelbësore të Bashkimit Evropian – sundimin e ligjit, pajtimin dhe respektin për viktimat”, tha Kos.
Ajo theksoi se kishte vendosur, si politikane dhe si person, se nuk mund të shkonte në kryeqytetin serb pas zhvillimeve të fundit.
“A mund ta imagjinoni se si mund t’i shikoja ndonjëherë në sy nënat e Srebrenicës që humbën shumë anëtarë të familjes?”, tha Kos, duke kujtuar takimet e saj me familjarët e viktimave.
Sipas saj, nënat e Srebrenicës, pavarësisht vuajtjeve të tyre, janë bërë simbol i pajtimit.
“Ato më thanë: ‘Nuk do të harrojmë kurrë, por mund të falim’”, tregoi Kos, duke shtuar se pikërisht për këtë arsye të gjithë duhet të punojnë së bashku për pajtimin.
Komisionerja evropiane tha se pret veçanërisht nga Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, një angazhim të qartë në këtë drejtim.
Kos theksoi se tashmë është e nevojshme që të zhvillohet një diskutim serioz mbi mënyrën se si Serbia do të vazhdojë rrugën e saj evropiane.
“Rruga drejt BE-së kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës. Kjo është ajo që pres. Ne presim nga Serbia një ecje të qartë dhe vendimtare në rrugën evropiane”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se anëtarësimi në BE nuk nënkupton vetëm përafrimin me legjislacionin evropian, por edhe respektimin e vlerave të Bashkimit, orientimin strategjik dhe angazhimin për pajtim.
Në fund, Kos tha se përgjegjësia për shërimin e plagëve të së kaluarës bie mbi udhëheqjen serbe.
“Është përgjegjësi e udhëheqjes në Serbi që të shërojë plagët e së kaluarës dhe të mos u hedhë përsëri kripë, në mënyrë që ato të mos shërohen kurrë”, u shpreh ajo.

