Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se, përveç rasteve të bëra tashmë publike, janë duke u hetuar edhe persona të tjerë nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin sekret serb, BIA.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, ka thënë për RTK-në se hetimet po shtrihen edhe te persona të tjerë, ndërsa të dyshuarit kanë një emërues të përbashkët – BIA-n serbe, e cila dyshohet se ka rekrutuar persona në Kosovë për mbledhjen dhe përcjelljen e informacioneve të ndjeshme.“Mund të konfirmoj që të njëjtin kanë një emërues të përbashkët, ajo është BIA, e cila ka arritur të rekrutojë dhe të marrë informacione të rëndësishme sa i përket aspektit politik dhe të sigurisë në Kosovë, e në veçanti një interesim të jashtëzakonshëm sa i përket radikalizimit islamik në Kosovë dhe sekteve të ndryshme fetare”, ka deklaruar Kodraliu për RTK-në.
Hetimet, sipas Prokurorisë, kanë përfshirë dyshime për sigurimin e dokumenteve zyrtare dhe informacioneve konfidenciale. Në fokus kanë qenë të dhëna për institucionet e sigurisë, zyrtarë të Policisë Speciale, ish-eprorë të UÇK-së dhe aktorë politikë.
Prokuroria ka theksuar rëndësinë e pozitave që disa prej personave nën hetim kanë mbajtur në institucionet e Kosovës.
“Ne jemi shumë të kujdesshëm në ruajtjen e sigurisë kombëtare, për shkak edhe të pozitave që këta persona kanë mbajtur. Njëri ka qenë toger me gradë në Policinë e Kosovës në pikën kufitare në Kamenicë dhe tjetri ka qenë zyrtar i inteligjencës së policisë në veri të Mitrovicës”, ka deklaruar prokurori Kodraliu.
Këto deklarata vijnë pak ditë pas arrestimit të Fehim Salit, rasti i të cilit sipas Prokurorisë është një tjetër hallkë në hetimet për aktivitetin e dyshuar të BIA-s në Kosovë.
Sali u arrestua më 13 gusht në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin inteligjent serb. Gjykata Themelore në Prishtinë më pas i caktoi paraburgim prej 30 ditësh.

