Friday, July 31, 2026
HomeBotaE dërguara speciale e Britanisë për BP: Dëshmitë për krimet e luftës...

E dërguara speciale e Britanisë për BP: Dëshmitë për krimet e luftës në Kosovë ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës

E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka vlerësuar se dëshmitë e publikuara nga Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e së kaluarës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat.

Në një deklaratë të publikuar nga Ambasada britanike në Kosovë, Pierce ka theksuar se gjetjet ndihmojnë në krijimin e një baze faktike për llogaridhënie lidhur me fatin e më shumë se 13 mijë personave që humbën jetën ose u zhdukën gjatë luftës në Kosovë.

Sipas saj, dëshmitë janë të rëndësishme edhe për mijëra qytetarë të tjerë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma.

“Gjetjet janë një kontribut i rëndësishëm drejt krijimit të dëshmive të bazuara në fakte dhe llogaridhënies për më shumë se 13 mijë njerëz që humbën jetën ose u zhdukën gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe për shumë të tjerë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma”, ka deklaruar Pierce.

Ajo i ka cilësuar ngjarjet tragjike në Kosovë si një nga periudhat më të errëta të historisë së afërt evropiane, duke theksuar rëndësinë e përballjes së sinqertë me të kaluarën.

“Paqja afatgjatë kërkon që të gjitha komunitetet të angazhohen me ndershmëri ndaj së kaluarës dhe të punojnë drejt së vërtetës, pajtimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, ka thënë ajo.

Pierce ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar në mbështetjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments