Mungesa e barnave dhe materialit shpenzues në institucionet publike shëndetësore në Kosovë po vazhdon të mbetet një ndër sfidat më serioze për funksionimin normal të sistemit shëndetësor.
Kjo dukuri, e cila është raportuar në mënyrë të përsëritur ndër vite, po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve mjekësore dhe në qasjen e pacientëve në trajtime të domosdoshme.
Në shumë raste, pacientët përballen me mungesë të barnave esenciale dhe materialeve bazike, duke u detyruar t’i sigurojnë ato vetë në tregun privat.
Një situatë e tillë jo vetëm që rrit barrën financiare për qytetarët, por edhe krijon pabarazi në qasje ndaj shërbimeve shëndetësore, sidomos për kategoritë më të ndjeshme sociale.
Lidhur me këtë situatë, Front Online ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, por në përgjigjen e tyre ata thanë se ‘’Menaxhimi i klinikave në QKUK është kompetencë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, si organizatë e veçantë buxhetore. Andaj, për çështje që ndërlidhen me këtë aspekt, ju lutemi t’i drejtoheni SHSKUK-së’’.
Front Online ka dërguar pyetje edhe në SHSKUK, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në përgjigjet dërguar për FrontOnline lidhur me mungesën e barnave dhe materialit shpenzues në institucionet publike shëndetësore, duke thënë se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e pacientëve dhe në qasjen e tyre në shërbime. Sipas Shoqatës, mungesa e vazhdueshme e barnave po i detyron pacientët që t’i blejnë vetë ,duke rritur ndjeshëm barrierat financiare për marrjen e trajtimeve të nevojshme.
“Mungesa e barnave dhe materialit shpenzues i detyron pacientët t’i blejnë vetë, duke rritur barrierat financiare për marrjen e shërbimeve. Kjo situatë mund të çojë në vonesa në trajtim, ndërprerje të terapive, rrezik më të lartë për komplikime, ulje të cilësisë së kujdesit dhe dobësim të besimit në institucionet publike shëndetësore”, thonë nga kjo shoqatë
Shoqata vlerëson se përveç ndikimit financiar, kjo gjendje ka pasoja të drejtpërdrejta edhe në aspektin shëndetësor, pasi ndërprerja apo vonesa e trajtimeve mund të përkeqësojë gjendjen e pacientëve dhe të rrisë rrezikun për komplikime të mëtejshme.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka ngritur alarmin për gjendjen në sistemin publik shëndetësor, duke e cilësuar mungesën e barnave dhe materialit shpenzues në Qendra Klinike Universitare e Kosovës si një problem që shkon përtej çështjeve të furnizimit.
Agani ka theksuar se kjo situatë reflekton mangësi të thella në organizimin dhe financimin e sistemit shëndetësor.
“Mungesa e barnave dhe materialit shpenzues në QKUK nuk është vetëm problem i furnizimit, por është edhe reflektim i një problemi më të thellë strukturor në organizimin dhe financimin e sistemit shëndetësor”, ka deklaruar ai.
Ai e ka cilësuar situatën si serioze dhe të papranueshme për një institucion të nivelit terciar, duke paralajmëruar se mungesa e barnave esenciale cenon drejtpërdrejt sigurinë e pacientëve dhe dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë.
‘’Situata është serioze dhe e papranueshme për një institucion të nivelit terciar. Kur mungojnë barna esenciale dhe materiale bazike, kjo cenon drejtpërdrejt sigurinë e pacientëve dhe dinjitetin e punës së profesionistëve shëndetësorë’’, tha ish-ministri Agani.
Sipas Aganit, arsyet kryesore janë kryesisht strukturore, duke përfshirë dobësitë në prokurim dhe planifikim, mungesën e sistemeve të sakta të menaxhimit të stokut, si dhe një model organizativ të tejkaluar të ofruesit kryesor publik.
‘’Arsyet nuk janë vetëm teknike, por siç e thash më lartë kryesisht strukturore:- dobësi në prokurim dhe planifikim; – mungesë e sistemeve të sakta të menaxhimit të stokut; – por mbi të gjitha, model organizativ i tejkaluar i ofruesit kryesor publik’’, tha ish-ministri Agani.
Ai ka thënë se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës funksionon si një organizatë klasike buxhetore, me fleksibilitet shumë të kufizuar në menaxhimin e burimeve.
Duke folur për dilemat nëse bëhet fjalë për keqmenaxhim apo mungesë buxheti, Agani ka vlerësuar se problemi është kombinim faktorësh, por jo thjesht financiar.
“Nuk është vetëm sa para kemi, por si janë të organizuara institucionet që i menaxhojnë këto para. Edhe me buxhet më të lartë, ky model organizativ do të prodhonte të njëjtat probleme”, ka thënë ai.
Agani ka propozuar masa urgjente, si furnizimi emergjent me barna dhe materiale esenciale, auditim i menjëhershëm i stokut dhe zinxhirit të furnizimit, si dhe rritje të transparencës.
Megjithatë, ai ka nënvizuar se zgjidhja reale qëndron në reforma strukturore, përfshirë transformimin gradual të SHSKUK në një institucion më autonom dhe të aftë për kontraktim strategjik.
‘‘Masa urgjente: furnizim emergjent për barnat dhe materialet esenciale, auditim i menjëhershëm i stokut dhe zinxhirit të furnizimit, rritje e transparencës. Masa strukturore (këtu është zgjidhja reale): transformimi gradual i SHSKUK në një institucion më autonom dhe të aftë për kontraktim. Kjo do të siguroj: – fleksibilitet më të madh financiar dhe menaxherial;- përgjegjësi të qartë për rezultate;- mundësi për kontraktim strategjik të shërbimeve dhe furnizimeve’’, përfundon Agani.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur për situatën e mungesës së barnave dhe materialit shpenzues në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, duke e cilësuar atë si shqetësuese dhe me pasoja të drejtpërdrejta për pacientët.
“Situata e mungesës së barnave dhe materialit shpenzues në QKUK është shqetësuese. Mungesat janë të shpeshta dhe prekin edhe barnat bazike, duke ndikuar në cilësinë e shërbimeve, duke rritur barrën financiare për pacientët dhe duke rrezikuar jetën e njerëzve”, ka deklaruar Zemaj
Sipas tij, arsyet e kësaj gjendjeje nuk lidhen vetëm me procedurat e prokurimit publik apo me mungesën e buxhetit, por me faktorë më të thellë siç është keqmenaxhimi.
“Arsyet kryesore kanë të bëjnë me interesa individuale të njerëzve si kombinim i tyre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe QKUK, të cilat nuk lidhen vetëm me procedurat joefikase të prokurimit publik, buxhetin apo planifikimin, por me një keq menaxhim të qëllimshëm që favorizon këto grupe në interes të tyre financiar, të mbështetur nga ministri dhe qeveria në ikje”, ka thënë ai.
Zemaj ka kërkuar që para çdo mase për përmirësimin e gjendjes të ndërmerren hapa konkretë për zbardhjen e situatës.
“Duhet një auditim urgjent dhe hetime të pavarura nga institucionet e drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Ish-ministri ka shtuar se rritja e transparencës, menaxhimi më i mirë i stokut të barnave, shmangia e vonesave në pagesa për furnitorët dhe digjitalizimi i sistemit janë disa nga masat që do të ndikonin në rritjen e efikasitetit në sistemin shëndetësor.
‘’ Ajo që do ta rriste efikasitetin është transparenca, menaxhimi i mirë i stokut të barnave, mosvonesat në pagesa për furnitorët, si dhe digjitalizimi i sistemit’’, u shpreh Zemaj.
Në fund, Zemaj ka shprehur skepticizëm për ndryshime në rrethanat aktuale, duke thënë se me këtë qeveri është e vështirë të ndodhë diçka e mirë.
‘’Por me këtë qeveri dhe deri ku ka shkuar degradimi, është e vështirë të ndodhë diçka e mire’’, thotë Zemaj
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar gjendjen e furnizimit me barna në sistemin shëndetësor, duke e cilësuar si një problem të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit.
Sipas tij, mungesat e barnave nga Lista Esenciale janë shndërruar në një “sëmundje kronike” të sistemit shëndetësor gjatë 6 viteve të qeverisjes aktuale.
‘’Gjendja e mungesave të barnave nga Lista Esenciale është shndërruar në një “sëmundje kronike” të sistemit shëndetësor gjatë 6 viteve të qeverisjes së Qeverisë Kurti’’, tha Haxhiu
Sipas tij, pavarësisht rritjes së buxhetit për barna, furnizimi mbetet i paqëndrueshëm dhe disa institucione vazhdojnë të përballen me mungesa kritike të barnave dhe materialeve mjekësore.
‘’Ndonëse ka pasur rritje të buxhetit për barna, furnizimi mbetet i paqëndrueshëm; disa institucione përballen me mungesa kritike në furnizim me barna dhe materiale mjekësore’’, tha Haxhiu.
Haxhiu ka vlerësuar se kjo gjendje është pasojë e keq menaxhimit dhe, siç e ka cilësuar ai, “tenderomanisë”, duke shtuar se rritja e buxhetit nuk ka sjellë përmirësim në furnizim, por ka rritur hapësirat për abuzime.
Ai gjithashtu ka thënë se mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e furnizimit me barna po ndikon drejtpërdrejt te pacientët, të cilët shpesh detyrohen t’i sigurojnë vetë barnat esenciale.
‘’Kjo është pasojë e keq menaxhimit dhe “tenderomanisë”. Rritja e buxhetit ka shtuar abuzimet me barna dhe nuk ka përmirësuar furnizimin. Ekziston mungesë e transparencës dhe llogaridhënies për dështimet në furnizimin me barna nga Lista Esenciale. Për pasojë, pacientët detyrohen t’i sigurojnë vetë ato’’, përfundon Haxhiu.

