Një lokacion i dyshimtë për veprimtari narkotike është zbuluar në zonën mes Gushtericës së Poshtme dhe të Epërme në Graçanicë.
Ngjarja ka ndodhur më 21 prill rreth orës 21:05, pasi policia ka pranuar informata për aktivitet të dyshimtë në një objekt të pabanuar.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku brenda objektit kanë hasur në pajisje të shumta për kultivim, mbetje dheu dhe kushte që, sipas hetuesve, i përngjanin një ambienti të përgatitur për rritjen e bimëve narkotike.
Siç mëson Sinjali, në vendin e ngjarjes është ndjerë edhe aromë e fortë e marihuanës, ndonëse nuk janë gjetur bimë narkotike.
Pak më larg objektit është gjetur edhe një veturë Renault me ngjyrë të bardhë, e cila dyshohet të ketë lidhje me rastin dhe është siguruar për procedura të mëtejshme.
Po ashtu, policia ka sekuestruar një telefon Samsung S21, i cili është gjetur brenda objektit dhe konsiderohet provë relevante.
Personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar.

