Oleksandar Pivnenko, komandant i Gardës Kombëtare të Ukrainës, tha se Ukraina është e aftë të zhvillojë luftë për disa vite të tjera dhe hodhi poshtë pretendimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump se vendi do të humbiste pa një armëpushim të shpejtë. Ai theksoi se detyra e Ukrainës është të ruajë territorin dhe popullsinë e saj.
Në një intervistë me BBC News Ukrainian, Pivnenko tha se nuk ishte dakord me vlerësimin e Trump se Ukraina do ta humbasë luftën nëse nuk arrihet së shpejti një armëpushim.
“Jemi gati të luftojmë edhe për disa vite të tjera, jam njëqind për qind i sigurt për këtë. Por luftërat duhet të mbarojnë përfundimisht. Në përgjithësi, është e vështirë të kuptohet se në këtë planet njerëzit po vrasin njëri-tjetrin për territor dhe burime. Kjo duhet të ndalet”, tha Pivnenko.
Ai shpjegoi se nga pikëpamja ushtarake, fitorja për Ukrainën do të thotë çlirimi i territoreve të pushtuara. Ai pranoi se kjo mund të mos jetë një përparësi e menjëhershme, por Ukraina mbetet strategjikisht e përkushtuar ndaj këtij qëllimi.
“Një fitore ushtarake për Ukrainën është, sigurisht, kthimi i territoreve tona”, theksoi ai. “E kuptoj që ky mund të mos jetë qëllimi për sot, por mbetet thelbësor për të ardhmen. Mund të duhen disa dekada – nuk ka rëndësi.”
Kur u pyet nëse Ukraina mund të binte dakord për lëshime territoriale, ai u përgjigj se Kievi aktualisht nuk po e shqyrton një mundësi të tillë.
“Një armëpushim përgjatë vijës ndarëse është diçka që mund ta kuptojmë. Por askush nuk do të heqë dorë nga territori”, tha ai.
Pivnenko vuri në dukje se ushtria ukrainase do të zbatojë çdo urdhër të Presidentit Volodymyr Zelensky, por beson se shoqëria ndoshta nuk do ta pranonte vendimin për të hequr dorë nga territori pas të gjitha humbjeve të pësuara.
“Ne jemi një shtet ligjor. Por si do ta kuptonte populli ynë këtë dhe pse e mbrojtëm veten fare? Ne mund të kishim negociuar dhe thjesht të kishim dorëzuar, për shembull, Luhanskun dhe Donbasin, dhe në këtë mënyrë, si të thuash, t’i kishim dhënë fund luftës”, shpjegoi ai.
Ai shtoi se njerëzit janë të rraskapitur nga lufta dhe shpresojnë për fundin e saj, por pyetja kryesore është me çfarë kostoje.
“Të gjithë duan që lufta të marrë fund. Por pyetja kryesore është me çfarë çmimi. A është një armëpushim – me të cilin, besoj, të gjithë do të pajtoheshin – që do të lejonte rivlerësimin e hapave dhe marrëveshjeve të mëtejshme, apo është një humbje territori. Do të them vetëm se nuk do të heqim dorë nga asnjë territor, jam i sigurt për këtë”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha më 13 shkurt se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, “duhet të veprojë” dhe të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Deklaratat e tij erdhën mes raportimeve në media se negociatorët amerikanë dhe ukrainas po shqyrtojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje në mars dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë në maj.

