Friday, September 26, 2025
HomeLajmeKosovaTrumpi zotohet se s’do ta lejojë Izraelin ta aneksojë Bregun Perëndimor

Trumpi zotohet se s’do ta lejojë Izraelin ta aneksojë Bregun Perëndimor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua të enjten se nuk do ta lejojë Izraelit të aneksojë Bregun Perëndimor, duke i kundërshtuar thirrjet e disa politikanëve të ekstremit të djathtë në Izrael që duan ta zgjerojnë sovranitetin mbi tokën palestineze dhe t’i shuajnë shpresat për një shtet palestinez.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është përballur me trysni të madhe nga disa aleatë brenda koalicionit qeverisës për të aneksuar Bregun Perëndimor, gjë që i ka shqetësuar liderët arabë, disa prej të cilëve u takuan të martën me Trumpin në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“Unë nuk do ta lejoj Izraelin ta aneksojë Bregun Perëndimor. Jo, nuk do ta lejoj. Nuk do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

“Mjaft është mjaft. Ka ardhur koha të ndalet tani”, shtoi ai.

Franca, Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia janë ndër vendet që kanë njohur shtetin palestinez ditët e fundit, pjesërisht për ta mbajtur gjallë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete.

Izraeli e ka dënuar vendimin e tyre për njohjen e shtetit palestinez.

Ndërkohë, Netanyahu ka mbërritur në Nju Jork për të mbajtur një fjalim në Kombet e Bashkuara të premten.

Zyra e Netanyahut tha se kryeministri do t’iu përgjigjet deklaratës së Trumpit sapo të kthehet në Izrael.

Vendbanimet izraelite janë rritur në madhësi dhe numër qëkurse Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor gjatë luftës së vitit 1967.

Ato shtrihen thellë në tokën palestineze me një sistem rrugësh dhe infrastrukturë tjetër nën kontrollin izraelit, duke e copëtuar më shumë tokën.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments