Një numër i madh i tenderëve të zhvilluar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) gjatë katër viteve të fundit pritet të hetohen nga Autoriteti i Konkurrencës, duke ngritur dyshime për manipulime dhe praktika të ndaluara që mund të kenë favorizuar kompani të caktuara në dëm të konkurrencës së drejtë, shkruan Kujdestari.info.
Kujdestari.info ka mësuar nga burimet e saj se KEK ka ftuar vetë Autoritetin e Konkurrencës për një hetim mbi dyshimet për manipulime me ofertat në tenderët e saj. Hetimi do të përfshijë rreth 800 tenderë me një vlerë totale prej mbi 200 milionë euro. Burimet kanë konfirmuar se një nga dyshimet kryesore lidhet me rastet ku oferta më e shtrenjtë ka fituar, ndërkohë që dy ofertues të tjerë janë tërhequr nga gara, një praktikë që mund të përbëjë marrëveshje të kurdisura, e njohur ndryshe si bid-rigging.
Kujdestari.info ka kontaktuar drejtpërdrejt me Autoritetin e Konkurrencës për konfirmim. Në përgjigjen e tyre thuhet se hetimi do të nis për të gjitha tenderët e zhvilluar nga KEK gjatë viteve 2020–2024, duke analizuar çdo procedurë dhe çdo shenjë të mundshme të manipulimit të prokurimeve.
“Pas kërkesës së pranuar nga udhëheqësia e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Autoriteti i Konkurrencës ka pranuar rreth 800 tenderë të zhvilluar nga viti 2020 deri në vitin 2024 me vlera të mëdha dhe të mesme që kapin një vlerë të përgjithshme mbi 200 milion euro. Dyshimet kryesore lidhen me praktikat e ndaluara të tipit bid-rigging (kurdisje tenderësh). Nga të gjithë këto tenderë, dhjetëra janë duke u monitoruar që kapin një shumë dhjetëra milionëshe.
Në këtë kuadër, po analizohen disa nga format tipike të kurdisjes së tenderëve të njohura në praktikë, si:
• shtypja e ofertës – kur konkurrentët bien dakord të mos paraqesin ofertë ose të tërheqin një ofertë të dorëzuar;
• rotacioni i ofertave – kur kompanitë bien dakord që të fitojnë tenderë me radhë;
• shpërndarja e klientëve apo tregut – kur ofertuesit ndajnë mes vete klientë apo zona gjeografike;
• oferta plotësuese – kur paraqiten oferta të qëllimshme për të humbur, vetëm për të krijuar përshtypjen e konkurrencës.
E theksojmë se hetim formal ende nuk ka mundur të hapet. Arsyeja qëndron tek fakti se Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës, që është organi vendimmarrës, aktualisht nuk është funksional. Sipas ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës (neni 27, paragrafi 1), vendimmarrja bëhet vetëm kur Komisioni ka së paku tre anëtarë aktivë. Në praktikë, ky kuorum nuk është i plotësuar, për shkak të konflikteve të vazhdueshme të interesit të konstatuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me nënkryetaren znj. Kaltrina Sela në fushën e tenderëve të KEK-ut dhe disa fusha e tregje të tjera. Ndërsa dy anëtarë të tjerë, z. Florent Mehmeti dhe znj. Salihe Gashi-Loku, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre gjatë këtij viti.
Për pasojë, deri në rifunksionalizimin e Komisionit, Autoriteti nuk ka bazë ligjore për të marrë një vendim për hapjen e procedurës hetimore. Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar që sapo të krijohen kushtet ligjore dhe funksionale, të procedojë me profesionalizëm dhe konfidencialitet në adresimin e çdo rasti që cenon konkurrencën e lirë dhe të drejtë.”
Kujdestari.info ka kërkuar gjithashtu një përgjigje nga udhëheqësia e KEK-ut lidhur me këto hetime, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.