Seanca ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushkan Maksimoviç, lidhur me rastin “Banjska” do të vazhdojë të martën në Pallatin e Drejtësisë.
Kjo seancë është e dyta për këtë javë, ndërsa në seancën e së hënës ka dëshmuar dëshmitari me kodin “F1” në seancë të mbyllur.
Kërkesa është bërë me propozimin e prokurorit të çështjes, Naim Abazi, i cili ka thënë se në rast të identifikimit, dëshmitarit i rrezikohet jeta.
Në seancën e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj 42 të pandehurve të tjerë, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, të cilët janë në arrati – përfshirë edhe Milan Radojiçiçin, i cili e ka pranuar publikisht se e ka udhëhequr këtë sulm.
Një grup i armatosur më 24 shtator të 2023-së, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.
Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës fillimisht kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi – deri tek ngritja e aktakuzës ndaj 45 personave
Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç e pranoi organizimin dhe përfshirjen në këtë sulm terrorist.
Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi.

