Evropa mund të shkatërrohet. Është ky parashikimi i zymtë që ka bërë ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në prezantimin e librit të saj me kujtime, të titulluar “Freedom”. Ish zonja e hekurt ka thënë se shtrëngimi i politikave të migracionit dhe kufijve në nivel kombëtar mund të kërcënojë seriozisht mbijetesën e Bashkimit Evropian, duke komentuar lëvizjet e fundit të Berlinit për të kufizuar fluksin e azilkërkuesve.
“Nuk besoj se mund ta luftojmë me vendosmëri migracionin e paligjshëm në kufirin gjermano-austriak ose gjermano-polak… Gjithmonë kam qenë në favor të zgjidhjeve evropiane”, tha Merkel, duke komentuar masat e miratuara së fundmi nga kabineti i kancelarit Friedrich Merz.
Masat e reja, të cilat u prezantuan nga Ministri i Brendshëm gjerman në fillim të majit, ndalojnë paraqitjen e kërkesave për azil në të gjitha kufijtë tokësorë të Gjermanisë. Kjo është një kthesë e mprehtë nga politika e hapur e vitit 2015, e cila u zbatua më pas nga Merkel. Përjashtime bëhen vetëm për fëmijët, gratë shtatzëna dhe kategoritë e tjera vulnerabël.
Merkel vlerësoi se ky vendim vë në pikëpyetje lirinë e lëvizjes brenda BE-së dhe stabilitetin e zonës Shengen, e cila lejon udhëtimin pa viza në shumicën e shteteve anëtare. “Nëse kjo praktikë vazhdon, mund të dëshmojmë shpërbërjen e Evropës”, paralajmëroi ish-kancelarja.
Politika e dyerve të hapura e Merkelit e vitit 2015 u kritikua ashpër kur më shumë se një milion refugjatë hynë në Gjermani gjatë krizës së emigrantëve. Sot, Gjermania mbetet destinacioni kryesor për azilkërkuesit brenda BE-së – vetëm në vitin 2023, u paraqitën më shumë se 237,000 aplikime, një e katërta e totalit në nivel të Unionit.
Kancelari aktual Friedrich Merz premtoi të shtrëngojë kontrollet kufitare gjatë fushatës përpara zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit, në një kohë kur Alternativa për Gjermaninë (AfD) e krahut të djathtë ka parë një rritje të fortë të mbështetjes për politikat e saj anti-imigracion.