Këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, Mike Waltz, është shkarkuar pas një skandali të rëndë sigurie që lidhet me përdorimin e aplikacionit të pasigurt TeleMessage për komunikime zyrtare, shkruan Gazeta Sinjali.
Skandali ka marrë përmasa të mëdha pasi hetimet kanë zbuluar se rrjedhja e të dhënave ka përfshirë më shumë se 60 zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë punonjës të Departamentit të Shtetit, Shërbimit Sekret dhe Shtëpisë së Bardhë.
Sipas Reuters, një haker arriti të hyjë në serverin e TeleMessage – një aplikacion izraelit i përdorur për arkivimin e komunikimeve në platforma si Signal – duke shfrytëzuar një dobësi kritike të sistemit. Sipas Wired, hakeri mori akses përmes një skedari të quajtur “heapdump”, ku ruheshin informacione të hyrjes dhe mesazhe të paarkivuara pa enkriptim.
Rrjedhja ka ekspozuar edhe numrat e telefonit të disa përdoruesve të jashtëm, përfshirë qytetarë që kishin komunikuar me zyrtarë qeveritarë për çështje emergjente ose profesionale.
Situata agravoi më tej kur Waltz aksidentalisht shtoi kryeredaktorin e revistës The Atlantic, Jeffrey Goldberg, në një grup të Signal ku diskutoheshin plane të ndjeshme ushtarake lidhur me sulmet ndaj Houthive në Jemen. Incidenti u pasua nga publikimi i një fotografie të Waltz në një mbledhje kabineti, ku shihej duke përdorur aplikacionin TeleMessage – vetëm disa ditë para se të zbulohej se sistemi ishte hakuar.
Edhe pse Shtëpia e Bardhë ka pranuar incidentin, ajo nuk ka ofruar detaje shtesë për publikun, ndërsa kritikët kanë kërkuar hetime të plota për dobësitë sistematike të sigurisë në administratën Trump. Skandali pritet të ketë pasoja të gjera në mënyrën se si qeveria amerikane menaxhon sigurinë digjitale në komunikimet zyrtare.